Lajme Shqip Saturday, 26 September 2015 08:06

Nga muaji tetor të punësuarve në Kosovë do t’u ndalen 7 për qind nga paga për sigurime shëndetësore, shkruan sot Koha Ditore.

Pavarësisht fillimit të mbledhjes së premiumeve, sigurimet shëndetësore nuk do të jenë në dispozicion edhe për një kohë për qytetarët. Ndonëse Ligji për Sigurime Shëndetësore është dashur të fillonte të implementohej në fillim të vitit 2015, mund të ndodhë që në mënyrë të plotë të mos fillojë as në vitin 2016.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka garantuar që në vitin 2016 do të fillojë zbatimi i sigurimeve shëndetësore. Zyrtarët për informim të MSh-së kanë thënë se po punohet në këtë drejtim, por nuk është e sigurt se kjo mund të ndodhë.

“Po punohet që kjo të bëhet më 2016. Deri tash është nxjerrë Rregullorja e Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë, që është miratuar në Qeveri. Është themeluar Këshilli përgatitor për themelimin e fondit të sigurimeve shëndetësore”, ka qenë përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë.

Zyrtarët e Ministrisë nuk kanë folur për datë të saktë se kur mund të nisë implementimi i Ligjit për sigurimet shëndetësore dhe janë arsyetuar se zbatimi i tij nuk varet vetëm nga puna e MSh-së, por edhe e ministrive të tjera.