Lajme Shqip Monday, 31 August 2015 13:29

Një grup që kërkon reforma brenda partisë, ndërsa një tjetër akuzon personat e apostrofuar si reformues. Një luftë e këtillë tani e disa ditë ka plasur brenda BDI-së, por i gjithë debati zhvillohet përmes rrjeteve sociale, njofton korrespodenti i Koha Ditore nga Shkupi

Disa profile jozyrtare që kanë pasur siglën e BDI-së kanë shtuar në emrat e tyre shtojcën “Reforma” ndërsa janë hapur edhe disa të tjerë me këtë emër.

Në postimet e tyre thuhet se tre deputetë aktualë, Rafis Aliti, Zulfi Adili, Hazbi Lika dhe kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, janë inicuesit e reformave brenda partisë.

Por, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në të gjitha postimet mbetet i pakontestueshëm.

Emrat që lakohen si inicues të reformave kadrovike brenda BDI-së janë të njohur për opinionin edhe si kritikues të zëshëm kohëve të fundit të politikave brenda partiake. Tre deputetët në fjalë kanë kundërshtuar edhe miratimin e stemës së re shtetërore që kishte si simbol luanin e ngjashëm me stemën e partisë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE. Atëherë u përfol se po tre deputetët kishin pasur përplasje të ashpra me Ahmetin dhe zyrtarë të tjerë partiak.

Deputeti Hazbi Lika, në një prononcim të tij të fundit pati akuzuar drejtpërdrejt kryetarin e partisë, Ali Ahmeti si fajtor për politikat e gabuara të zyrtarëve të lartë të BDI-së. Ndërkaq edhe Rafiz Haliti në disa paraqitje të tij publike ka lëshuar një sërë akuzash ndaj ministrave shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë. Së fundmi, përmes profilit “Gjithmonë BDI”, i njohur ndryshe edhe si profili jozyrtarë i BDI-së e që dyshohet se administrohet nga një zyrtarë i lartë i BDI-së, u lëshuan akuza të rënda ndaj deputetit dhe nënkryetarit të BDI-së, Rafis Aliti.

Përplasjet brenda strukturave të BDI-së kanë qenë të mëhershme ndërsa ato u bënë shkak edhe i një konflikti që përfundoi në mënyrë tragjike ku gjatë përleshjes me rivalët muaj më parë mbeti i vrarë edhe ish komandant Shqiponja, pretendent për kreun e degës së BDI-së në Kumanovë. Përplasjet brenda BDI-së shpërthyer në përleshje fizike edhe në Strugë që në vitin e kaluar, si dhe në Komunën e Sarajit. Në disa degë ende nuk janë zhvilluar zgjedhjet pikërisht për shkak situatës së tensionuar brenda grupeve rivale.