Lajme Shqip Wednesday, 30 September 2015 13:30

NATO nuk vendosë për strukturën, mandatin dhe misionin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK). E ardhmja e FSK-së është çështje e brendshme e institucioneve të Kosovës, jozyrtarisht i ka thënë një burim brenda NATO-s gazetës serbe “Danas.”

Ky burim i ka thënë gazetës se “nëse mandati dhe misioni i këtyre forcave evoluon, Këshilli i NATO-s do të marrë në konsideratë nivelin e angazhimit mbi këtë çështje.”

Ndërkaq, gazeta serbe citon Ministrinë për Punë të Jashtme të Kosovës, ku thotë se “Prishtina ka marrë miratimin për krijimin e Forcave të Armatosura nga NATO”, me ç’rast FSK-ja do të shndërrohet në ushtri të armatosur me asistim të ekipit të NATO-s për këshillim dhe ndërlidhje.

Tanjug shkruan se në sajtin zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Kosovës është lëshuar një deklaratë e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi nga New York-u, sipas të cilit thuhet se Kosova ka marrë miratimin për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, dhe se tani mbetet vetëm të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

“Kosova është e gatshme të krijojë Forcat e Armatosura të Kosovës, ka marrë miratimin e NATO-s në këtë aspekt, dhe tani kërkon pëlqimin e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Thaçi në New York pas takimit me zëvendës/sekretarin kryesor të byrosë për çështje politike dhe ushtarake në Departamentin e Shtetit, Todd Chapman. /Indeksonline/