Lajme Shqip Friday, 20 April 2012 09:00

Tiranë -Ish-kryeministri Fatos Nano bëri të ditur sot në një emision televiziv se ofron dijen, eksperiencën dhe kapacitetet e tij në konkurrimin e sivjetshëm për President të Shqipërisë. Ish-kryeministri socialist pohoi se zyrtarisht nuk është ende kandidat për presidentin e ri, por i propozon opinionit publik dhe politikës shqiptare ofertën e tij për të qenë në garë.

“Më lejoni të them me vërtetësi se si politikan dhe qytetar i përgjegjshëm unë kam ofruar dijet, eksperiencën, aftësitë dhe kapacitetet e mia për të shërbyer që klima e sotme politike të ndryshojë. Që marrëdhëniet mes politikës dhe institucioneve të jenë më progresive dhe më nxitëse për të kryer detyrat, për tu kryer detyrat ndaj qytetarëve dhe publikut. Pra jam ofruar që duke kontaktuar të gjitha palët të sjell një vlerë të shtuar në konkurrimin e sivjetshëm për zgjedhjen e kryetarit të ri të shtetit”

Ish-kryeministri Fatos Nano deklaroi sot se nuk është kandidati më i rëndësishëm për Shqipërinë në vitin 2012, por është Shqipëria kandidate për të marrë statusin kandidat për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Për të shpalosur vizionin e tij për Presidentin e Republikës, Nano tha se do të kryejë takime me krerë të partive politike, sic janë Berisha, Rama e Meta.

Nano theksoi se vendit i duhet një president konsensual. Lidhur me relatat me kreun aktual të PS, Edi Rama, Nano bëri me dije se e ka mirëpritur Ramën në ngjitjet e shkallës së karrierës politike. Lideri historik i PS Fatos Nano është kandiduar dhe në vitin 2007 për garën presidenciale, por e humbi përballë Bamir Topit. Duke folur për marrëdhëniet nga partinë socialiste që e krijoi, Nano tha se “nuk mund ta mohoj përkatësinë time të majtë, themelimin dhe drejtimin e një force politike me kontributë të mëdha në proceset e Shqipërisë. Marrëdhëniet nuk mund të zëvendësohen nga intervista dhe deklarata që i bazohen qëndrimeve adekuate apo konjekturiale. Nuk kam bërë asnjë herë rolin e Kasandrës pasi duhet të kesh aftësi mitologjike ta bësh këtë. Unë bëj arsyetime mbi analiza objektive politike”.

Ish-kreu i PS tha se ka qenë nxitës dhe promovues i vlerave të reja dhe karrierës mbi bazën e meritës siç bëri edhe në vitin 2009 kur vlerësoi dhe konstatoi dukuri të kthimit prapa që nuk ndihmonte në rritjen e aftësive konkurruese të kësaj partie. Ai këmbënguli se mund të kritikohet më lehtë një lider politik se ka kombi dhe vendi.

I pyetur rreth një partie të re, si Aleanca Kuq e Zi, Nano theksoi se shoqëria ka nevojë për vlera që do freskonin shoqërinë dhe jo vlera që do e kthenin pas. Sipas tij ‘ka një sensibilitet kritik me disa slogane që duke spekuluar me gjuhën e parë dhe jo gjuhën që duhet të qëndrojë pas dhëmbeve deri në mendim të pjekur, me slogane nacionaliste rrezikojnë të bëhen një element që duke ju bashkuar tensioneve të pranishme në rajon, ku nuk ka forca politike nacionaliste në pushtet, do përbënin kërcënim të madh për Shqipërinë dhe shqiptarët në të ardhmen e tyre integruese’. (G.Sh)