Lajme Shqip Thursday, 24 September 2015 08:35

Besimtarët e besimit islam në Kosovë po shënojnë ditën e festës së Kurban Bajramit, ndërsa organizimi qendror, si dhe falja e namazit të Kurban Bajramit, u mbajt në xhaminë “Sulltan Mehmet-Fatih”, e njohur si Xhamia e Madhe, në Prishtinë.

Pranë besimtarëve të shumtë që u mblodhën aty, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava përcolli mesazhin e paqes dhe vëllazërimit për të gjithë njerëzit, pa dallim ngjyre, gjuhe besimi a rajoni. Ai bëri thirrje që njerëzit të jenë solidarë ndaj refugjatëve që kanë nevojë.

Myftiu Tërnava ftoi të gjithë njerëzit që të luten për shuarjen e luftërave dhe konflikteve në botë, që të mbizotërojë arsyeja dhe të parandalohet gjakderdhja.

“Fatkeqësisht sot bota vuan nga konfliktet e armatosura që sjellin vdekje e padrejtësi. Në këtë ditë të rëndësishme ne lutemi që i madhi Zot të na udhëzojë e mëshirojë, lutemi që sa më parë konfliktet të gjejnë paqen, lutemi që sa më parë populli i Sirisë dhe Irakut të gjejnë paqen dhe qetësinë, nd? ?rsa të dëbuarit, refugjatët nga këto vende të gjejnë solidaritet, humanitetin e bamirësinë e popujve të lirë. Nuk guxojmë të jemi indiferent ndaj asaj që po troket në dyert tona. Nga vujatjet e refugjatëve nga Siria, ftoj të gjithë që të jemi solidarë dhe bamirës me refugjatët e përvuajtur. E kemi urdhër nga Zoti të kujdesemi për ta, e kemi mësim nga vetë porosia e Kurban Bajramit që ka në bazament sakrificën, solidaritetin, e kujdesin e atyre që kanë nevojë”, tha Tërnava.

Ai bëri thirrje që të luftohet urrejtja e armiqësia dhe të motivohet buzëqeshja e përqafimi vëllazëror.

Myftiu Tërnava tha se sot besimtarët bëjnë ibadet anë e kënd botës, e në veçanti ata që gjenden në Mekë.

Duke folur për rëndësinë që ka haxhi dhe kurbani, Tërnava tha se këto të dyja determinojnë vlerat më fisnike e më madhështore për shoqërinë.

”Haxhi dhe kurbani secili në mënyrën e vet determinojnë vlerat më fisnike, më madhështore, për shoqërinë. Së pari respektin dhe dashurinë ndaj Allahut. Kjo vlerë krijon premisat për një vlerë të rehatshme në këtë botë, ku duhet të mbizotërojë paqja përballë dhunës dhe konfliktit, dashuria përballë urrejtjes, respekti përballë nënçmimit, bujaria përballë koprracisë, devotshmëria përballë degjenerimit, arsyeja përballë egos dhe lumturia përballë vuajtjeve”, tha ai.

Tërnava tha se vlera islame është burim i të gjitha vlerave sublime njerëzore.

Islami, tha myftiu, qëllim thelbësor ka bashkimin e njerëzve, që u takojnë ngjyrave, besimeve, rajoneve të ndryshme, rreth qëllimit e idealit të përbashkët.

Myftiu Tërnava foli edhe për rëndësinë që ka ndihma për të varfrit. Ai tha se dhënia e ndihmës për të varfrit nuk pakëson pasurinë, por veç sa ia shton mirësinë asaj.

Tërnava tha se feja islame e ka karakterizuar Kurban Bajramin me sakrificën, duke qenë kështu kurbani është një ibadet që synim ka humanizmin. Gjithashtu, tha ai, kjo festë ka edhe karakterin mirënjohës e falënderues ndaj Allahut.