Lajme Shqip Tuesday, 22 September 2015 21:24

Kryeministri Isa Mustafa i është përgjigjur opozitës, e cila po kërkon anulimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, duke thënë se kjo punë është e pamundur. Ai i ofron dialog opozitës, për të dalë nga situata e krijuar.

“Nuk ka rikthim në pikën zero për asnjë marrëveshje. Nuk rikthehet në pikën zero ligji për ratifikimin e marrëveshjes së parë”, tha Mustafa.

Ai tha se Asociacioni është pjesë e marrëveshjes së ratifikuar në Kuvend.

“Kjo s’është marrëveshje e re”, tha Mustafa, duke folur për marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, që do të thotë se kjo marrëveshje nuk do të dërgohet në Kuvend për ratifikim.

“Janë disa faktorë dhe argumente se këtu nuk kemi të bëjmë me bosnjizim’, tha Mustafa, duke theksuar se opozita nuk ka arsye për veprimet e fundit.

“Duhet të kemi kurajo që të marrim përgjegjësi së bashku me ata që na kanë ndihmuar ta bëjmë këtë shtet”, ka thënë ai.

Mustafa thotë se bisedimet për Asociacionin nuk i ka nisur ai.

“Marrëveshja ishte pretekst’ tha Mustafa duke folur më tutje për atë që ndodhi në Kuvend.

“Është çështje e interesave më të gjera sepse në këtë proces janë të përfshira shumë palë”, tha Mustafa sipas të cilit në këtë proces janë edhe SHBA-të dhe BE-ja.

“Ne nuk kemi filluar në gusht dialogun për Asociacionin. Kjo punë është në vitin 2013, kur Kuvendi i Kosovës praktikisht ka dhënë pajtimin e saj për marrëveshjen e parë”, tha Mustafa.

Kryeministri i Kosovës ka folur për incidentin e sotëm në Kuvendin e Kosovës kur u sulmua me vezë nga deputetët e opozitës.

Ky veprim tha se ‘nuk është shenj e mirë e demokracisë’.

“Deputetët duhet të reflektojnë në kulturë demokrati, e për hapësirë në dialog për këmbim të mendimeve. Për faktin që ekziston Kuvendi do të thotë se të gjitha palët nuk kanë mendime të njëjta. Unë isha në Kuvend të raportoja ashtu sic ka qenë e definuar pika e rendit të ditës. Nuk ka të drejtë askush t’ia pamundësojë kryeministrit të sqarojë para qytetarëve. Kjo nuk është një shenjë e mirë, por mendoj se është një fazë që do të tejkalohet shumë shpejt”, ka thënë Mustafa në emisionin Debat në RTK.

Kryeministri Mustafa thotë se zgjidhja e vetme për situtaën e krijuar së fundmi është dialogu.

Ai i ofron dialog opozitës, si një formulë e vetme për rrugëdalje nga situata e krijuar.

“Mendoj se formula e vetme është që të jetë një dialog i hapur, që askush të mos e kushtëzojë dialogun”, thotë Mustafa.