Lajme Shqip Friday, 31 July 2015 13:12

 

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zv.kryeministri Hashim Thaçi, kanë arsyetuar riprocedimin e amendamenteve kushtetuese që hapin rrugë për formimin e Gjykatës Speciale.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në të cilën u riproceduan amendamentet Mustafa e Thaçi, thanë se formimi i Gjykatës Speciale do të jetë në të mirë të vendit.

Kryeministri Isa Mustafa tha se riprcedimi i këtyre amendamenteve po bëhet për ti kryer obligimet ka marr qeveria, transmeton Orainfo.

Ai duke shpjeguar rrjedhjen e kësaj çështje dhe votimin për herë të parë në Kuvendin e Kosovës e cila nuk mori votat e mjaftueshme, ka thënë se riprocedimi i amendamenteve nuk bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

 “Ky riprocedim po ndodh për të përmbushur detyrimet që qeveria i ka marrë me ligji më 23 prill 2014, i shpallur me dekretin e Republikës së Kosovës”.

 “Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe rregullorja e punës së Kuvendit nuk e kufizojnë mundësin që qeveria ti riprocedojë të njëjtat amendamente në Kuvendin e Republikë së Kosovës”.

 “Prandaj, konsideroj që ne nuk e kemi asnjë pengesë kushtetuese që amendamentet të cilat janë aprovuar njëherë në qeveri ta riprocedojmë në Kuvend me kërkesë që kuvendi t’i shqyrtoj edhe një herë dhe të marrë vendim për aprovimin e tyre duke pasur parasysh rëndësinë shumë të madhe për vendin që ka aprovimi i këtyre amendamenteve”, tha Mustafa.

Kurse, zëvendëskryeministri dhe njëherit ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi, e ka arsyetuar riprocedimin e këtyre amendamenteve, duke shprehur nevojën për themelimin e kësaj gjykate.

 “Besoj që është e rëndësishme edhe për të kaluarën, edhe për të sotmen por mbi të gjitha për të ardhmen e shtetit të Kosovës. E kemi marrë obligim si institucion para bashkësisë ndërkombëtare në një proces të një bashkëpunimi të ngushtë të një transparence të plotë”.

“Por edhe një bashkëpërgjegjësie mund të themi lirishtë dhe letër këmbimet që kanë ndodhur duke u bazuar në vendimet e Republikës së Kosovës dhe letërkëmbimet mes Presidentes dhe autoriteteve të Bashkimit Evropian janë edhe një përgjegjësi e re që del para institucioneve tona”.

 “Mendoj kjo çështje është ajo që duhet të largojë ndasitë politike, përkundrazi është një përgjegjësi e përbashkët shtetërore dhe duhet të shndërrohet në një rrethanë të favorshme për të ardhmen e euroatlantike të Kosovës”, tha Thaçi gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Thaçi tha se pasi të përfundoj edhe ky obligim, Kosovës do t’i hapet rruga për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Interpol, UNESKO, e të tjera.