Lajme Shqip Monday, 26 October 2015 15:29

Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Kosova shpreh gatishmërinë dhe zotësinë e saj që t’i dëshmojë Bashkimit Evropian se është një shtet partner shumë serioz për t’i bërë të gjitha reformat e nevojshme, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Mustafa tha se përfitimet e ekonomisë së Kosovës janë të shumëllojshme nga kjo marrëveshje.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), paraqet kurorëzimin e një pune disavjeçare të të gjitha institucioneve të Kosovës në rrugën drejt përafrimit të vendit me familjen evropiane – atje ku e edhe e ka vendin. MSA qartëson dhe i vë kornizën perspektivës Euro-Atlantike të Kosovës. Me këtë vendim, vendet anëtare të Bashkimit Evropian po dëshmojnë unitetin e tyre për perspektivën evropiane të Kosovës dhe ato po dërgojnë një sinjal të qartë te qytetarët e Kosovës rreth të ardhmes së tyre”, u shpreh kryeministri.

Ai tha se praktikat tregojnë se të gjitha vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore të cilat kanë përvojat e tyre me nënshkrimin e Marrëveshjeve për Stabilizim Asociim kanë realizuar një rritje afatgjate ekonomike, kanë krijuar më shumë vende pune, kanë diversifikuar ekonominë e tyre dhe po ashtu kanë shtuar konkurrencën dhe kapacitetet ekonomike.

“Jam i bindur që edhe Kosova do ta bëjë këtë”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se kosovarët janë popull pro-evropian dhe këtë orientim asnjëherë nuk e kanë lëkundur gjatë historisë, ndërsa me nënshkrimin e MSA-së ky përcaktim i yni po kornizohet dhe po futet në një rrugë me të ardhme shumë të qartë.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës ka folur edhe për ngjarjet e fundit, duke thënë se ka tendenca që të bllokohet puna e Kuvendit të Kosovës.

“Mirëpo, puna nuk mund të bllokohet sepse Kuvendi i Kosovës e ka shumicën evidente të deputetëve dhe e ka koalicionin i cili ka dy të tretat e deputetëve në Kuvend. Koalicioni është i fuqishëm, ai do të punojë, do të përmbushë programin qeveritar dhe legjislativ që ia ka propozuar dhe që ka planifikuar për këtë vit në Kuvend. Konsideroj që çështjet e tjera duhet të zgjidhen duke respektuar procedurat demokratike dhe procedurat kuvendore. Mirëpo, opozita vetëm mund të krijojë vështirësi, por assesi nuk mund ta parandalojë ose bllokojë apo të krijojë pengesa në punën e rregullt të Kuvendit të Kosovës”, u shpreh Mustafa.

Ai tha se kriza tejkalohet duke respektuar rregulloren e Kuvendit, duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Këto janë rregullat të cilat duhet t’i zbatojë dhe t’i respektojë sikurse pozita ashtu edhe opozita.