Lajme Shqip Wednesday, 28 October 2015 08:00

 

Bekim Jashari, kryetar i Bashkësisë Islame në Podujevë, në intervistën Ballë për Ballë në kuadër të Orës së Fundit në Klan Kosova, ka thënë se Kosova rrezikohet nga ekstremizmi fetar, pasi ka një numër të caktuar të qytetarëve të vendit që po shkojnë në konflikte jashtë.

“Vendi ynë është i rrezikuar nga ekstremizmi. Ne po shohim një numër të madh të qytetarëve tonë që po vdesin atje, duke menduar që janë shehidë – dëshmorë. Tani duhet të bashkohen forcat intelektuale dhe të punojmë në këtë drejtim.  Dikush qëndron prapa shkuarjes së qytetarëve atje”, tha Jashari.

Sipas tij BIK-u ka kohë që ka dhënë alarmin për këtë dukuri, por që është punë e policisë dhe organeve tjera të rendit.

“Ne e kemi tërhequr vërejtjen me kohë për këtë dukuri. Ka pasur organizime të papenguara nga askush, në liri absolute. Organet e rendit e kanë për detyrë që t’i përcjellin këto zhvillime”, tha ai.

Jashari poashtu ka theksuar se ligjëratat e disa klerikëve mund të kenë ndikuar në rritjen e frymës ekstremiste. Ai ka kërkuar që të gjithë të rinjtë t’i përkushtohen ngritjes profesionale dhe punës për vendin dhe të harrojnë shkuarjen në konflikte për zona të interesit.

“Dikush qëndron prapa. Mendoj që ka pasur në Kosovë ligjërata frymëzuese drejt qëndrimeve ekstreme. Me të tillët unë nuk i ndaj qëndrimet. Zoti na ka krijuar në këtë vend, në këtë shoqëri dhe asaj duhet t’i shërbejmë. Synimi është që të rinjët ta mësojnë drejtë Islamin. Ne e dimë që Zoti e ngrit më lartë të diturin se të paditurin. Ne duhet të kemi kujdes nga shpërlarja e trurit”, tha ai.

“U bëj apel të gjithë kolegëve të mi, klasës intelektulae, shoqërisë cilvile që të japin një kontribut që të rinjët tanë të mos marrin pjesë në konflikte si ai në Siri. Ai është duel mes Arabisë Saudite me Iranin. Të rinjët le të shkollohen, le të punojnë dhe të bëhen të dëgjueshëm për familjet e tyre”, ka porositur imami.