Lajme Shqip Thursday, 24 September 2015 11:02

Ambasadori Markusz reagimet pozitë-opozitë i quajti mospajtime të natyrshme në vendet demokratike.

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, në një intervistë për KosovaPress, flet për fërkimet e fundit mes pozitës dhe opozitës, kryesisht për çështjet që kanë të bëjnë me marrëveshjet e Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Duke i cilësuar si faza që shtetet që duan integrim në Bashkim Evropian duhet t’i kalojnë, ambasadori hungarez kujtoi se “Brukseli e ka bërë të qartë si kristali se BE nuk dëshiron të pranojë konflikte të reja, prandaj kjo është mënyra e vetme për të vepruar, sepse përveç që i shërben anëtarësimit në BE, ju shërben edhe interesave të këtyre dy vendeve”.

Megjithatë ambasadori Markusz reagimet pozitë-opozitë i quajti mospajtime të natyrshme në vendet demokratike.

“Mendoj që mospajtimi në mes të pozitës dhe opozitës është thjesht pjesë e natyrshme e demokracisë. Se si zgjidhen këto mosmarrëveshje në mes të qeverisë dhe opozitës parlamentare i takon shtetit, ku politikanët i kryejnë aktivitetet e tyre në baza ditore. Në fakt, e di që nganjëherë mosmarrëveshjet duken të jenë shqetësuese dhe krijojnë një atmosferë të papërshtatshme edhe për vetë liderët. Por, ajo se çfarë unë shoh, nga vëzhgimi që i kam bërë vendit tuaj për gati një dekadë, është se po ecet drejt një trendi pozitiv. Dhe them se përkundër faktit dhe njohurive të mia për krejt problemet dhe vështirësitë që ju (Kosova) ende keni këtu, dhe nëse veç përpiqeni për të kujtuar se si është dukur Prishtina dhe Kosova në përgjithësi para 10 viteve, nuk mund ta mohoni zhvillimin e madh. Prandaj, mendoj se përderisa trendi është i mirë, mund të themi se jemi në binarë të duhur. Kosova po i arrin synimet e veta dhe natyrisht se betejat e përditshme politike janë të mundimshme, janë të lodhshme dhe jo të lehta ”, tha ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz.

Ambasadori gjatë intervistës kujtoi edhe vendimin jo të lehtë që shteti i tij mori me njohjen që i bëri pavarësisë së Kosovës, duke ngritur një paralele të sakrificave që duhet bërë për vendet që duan stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve me shtetet për rreth.

“Së pari, kur Hungaria njohu Kosovën në mars të vitit 2008, nuk ishte një vendim i lehtë sepse Serbia është fqinji ynë, prandaj dhe bëmë më të mirën që t’i ruajmë marrëdhëniet tona të mira fqinjësore. Në të njëjtën kohë, kemi 300 mijë hungarezë që jetojnë në Serbi. Mendoj se i tërë Bashkimi Evropian mbështetë këto bisedime, por Hungaria është njëra nga to që ka interes të shtuar për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Mendoj që është e qartë se që të dy vendet dëshirojnë të marrin rrugën drejtë integrimit evropian dhe t’i bashkohen BE-së përfundimisht. Nuk ka gjasa për anëtarësim në Bashkimin Evropian pa normalizim të marrëdhënieve”, tha Markusz.