Lajme Shqip Saturday, 29 August 2015 11:11

Nesër, më datë 30 gusht, shënohet Dita ndërkombëtare e personave të zhdukur. Me këtë rast, Misioni EULEX Kosovë e përkujton tragjedinë e atyre që janë zhdukur si dhe gjendjen e rëndë të familjeve të atyre.

“Kjo është çështje thelbësore, e cila i prek shumë familje në Kosovë dhe në të njëjtën kohë tejet e rëndësishme për Misionin”, tha Gabriele Meucci, Shef i Misionit EULEX në Kosovë.

Në njoftimin e lëshuar nga EULEX-i, thuhet se ky mision u kontribuon kërkimeve të Kosovës për personat e pagjetur përmes një ekipi me ekspertë të forenzikës.

“Ata vazhdojnë të punojnë së bashku me Departamentin për Mjekësi Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë të Kosovës me përpjekje intensive për përcaktimin e fatit të personave të pagjetur. Viteve të fundit EULEX-i ka punuar në trajnimin e ekipeve vendase në teren për kryerjen e vlerësimeve të lokacioneve dhe zhvarrimeve në mënyrë që të fuqizohen kapacitetet e Kosovës për procesin e vështirë të kërkimit të personave të pagjetur”, njofton EULEX, transmeton Telegrafi.

“Që nga dhjetori i vitit 2008, kur EULEX-i filloi punën me Departamentin e Mjekësisë Ligjore, familjarëve u janë kthyer mbetjet mortore të 483 viktimave. Këtu përfshihen 381 persona të pagjetur të cilët u gjetën pas një pune intensive në teren (513 operacione në teren) dhe analizave laboratorike (autopsi intensive dhe punë për identifikim, përfshirë më shumë se 2000 mostra të eshtrave për analiza të ADN-së)”.

“EULEX-i vazhdon të jetë i përkushtuar në mbështetjen e institucioneve të Kosovës përmes ekspertizës forenzike për përcaktimin e fatit të personave të pagjetur në çdo mënyrë të mundshme”, thuhet në kumtesën e EULEX-it.