Lajme Shqip Tuesday, 22 January 2013 18:24

TIRANE – Kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi dje se koalicioni me PD-në kishte funksionuar më mirë se ç’e kishte menduar para se të lidhte aleancën. Ai i bëri këto komente në emisionin “Zip” në televizionin “Vizion Plus”.

Z. Meta fillimisht do të doja një koment tuajin në lidhje me çështjen e mandateve?

Unë mendoj se duhet bashkëpunim për një ndarje të mandateve sipas ligjit. Natyrisht që kjo duhet bërë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Megjithatë në çdo rast do të ketë një ndarje të mandateve që do të thotë se në rast së ky bashkëpunim nuk do të ekzistojë do të mbetet ndarja ekzistuese.

LSI është për ndarjen e vitin 2009 apo për atë të vitit 2012?

Ne jemi për ndarjen e drejtë sipas ligjit. Por ju e keni ndjekur që ka pasur kontestime nga ana e Partisë Socialiste lidhur me një shtim të popullsisë në disa komuna të Qarkut të Kukësit, e cila sipas tyre synon një ndarje jo të drejtë. Kjo ka qenë arsyeja që ka bllokuar konsensusin në KQZ-së. Ndërkohë që ne kemi shprehur një shqetësim se një rindarje e mandateve nuk duhet të cenojë në mënyrë të padrejtë Qarkun e Beratit.

A cenohet barazia e votës në qoftë se mbetet në fuqi ndarja e vitit 2009?

Në themelin e këtij kodi ekzistues është pabarazia e votës. Dhe në qoftë se ekziston shqetësimi se po bëhet apo nuk po bëhet një rindarje për arsye se janë shtuar në Kukës 500 banorë apo janë pakësuar në Berat 300 duhet të kemi parasysh se ky është kodi që ka sanksionuar pabarazinë e votës duke vendosur pragje të ndryshme elektorale, nga 3% në Tiranë në 25% në Kukës. Njëkohësisht një deputet mund të hyjë me 4 mijë votë dhe një tjetër mund të dalë edhe me 15 mijë vota. Pra në themel të këtij kodi të bërë nga PS dhe PD nuk është barazia e votës.

Në qoftë se ka vërtet një marrëveshje PD-PS për ndarjen e mandateve cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë LSI-ja? Cenohet koalicioni në qoftë se kjo marrëveshje bëhet?

Ne nuk i druhemi një bashkëpunimi PD-PS. Ne e kërkojmë që ata ët bashkëpunojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe parimore që të mos kemi asnjë lloj anomalie apo edhe kontestimi të këtij procesi, të ndarjes apo rindarjes së mandateve.

Z. Meta sot jemi dy vite pas 21 janarit. Cili është qëndrimi juaj sot?

Qëndrimi është se organet e drejtësisë duhet të vazhdojnë procesin e nisur për të nxjerrë përgjegjësit si për ata që mbajnë përgjegjësi për humbjen e jetës së 4 protestuesve ashtu edhe për organizatorët e protestave të dhunshme.

A mendoni se do të vihet drejtësi?

Kjo mund të thuhet në fund të këtij procesi dhe jo tani kur ky është një proces në vazhdim.

Kemi dëgjuar shpesh edhe faktin se duhet të gjykohen edhe ata që organizuar protestën. A mendoni ju se do të bëhet drejtësi për sa i takon edhe kësaj pjesë?

Unë mendoj se drejtësia duhet për të dyja palët sepse ka pasur një konflikt të qartë, të hapur dhe këtë ka kërkuar edhe komuniteti ndërkombëtar, drejtësinë e vërtetë.

Sot dy vite më pas a ka ndryshuar qëndrimi juaj në lidhje me këtë ngjarje?

Absolutisht! Po të ishim edhe dy vite më pas unë këto deklarata do të bëja. Sot mund të them se sa e rëndësishme është për politikën të tregojë përgjegjësi ndaj njerëzve. E lehtë është për t’i çuar në një konflikt por dramatike është njëkohësisht të krijosh konfliktin.

Z. Meta, kryetari i Partisë Socialiste ka ndryshuar qëndrim kohët e fundit në lidhje me ju. Po ju vetë keni ndryshuar qëndrim për sa i takon z. Rama?

Për mua nuk ka qenë asnjëherë shqetësim por ka qenë kënaqësi kur kam dëgjuar akuza të tilla. Përderisa unë jam në politikë natyrisht që jam i hapur për të dëgjuar çdo gjë rreth personit tim. Lidhur me personalitetin tim flet vota dhe vota më 8 maj ka folur ndryshe dhe vota më 23 qershor përsëri do të flasë ndryshe sepse jam plotësisht shumë krenar që jam në mbështetje si politikan, i cili për shkak të akuzave ka dhënë, në respekt të opinionit publik dhe të sensibilitetit të tij lidhur me çështjet e korrupsionit, dorëheqjen nga gjitha funksionet zyrtare dhe njëkohësisht ka kërkuar që të mos mbyllë me proceduara një çështje gjyqësore ndaj tij por i ka shkuar deri në fund. Në këtë drejtim mendoj se të gjithë duhet të ndjekin këtë shembull dhe jo të fshihen përpara drejtësisë.

Gjatë vitit që lamë pas ju jeni takuar dy herë me z. Rama. Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me të?

Nuk jam këtu për të folur lidhur me këto marrëdhënie. Unë jam në politikë për tu takuar me të gjithë, për të punuar dhe për të bashkëpunuar me të gjithë. Mendoj që ky duhet të jetë predispozicioni i të gjithë politikanëve. Ajo që Shqipëria ende vuan sot është mungesa e vullnetit për të bashkëpunuar. Kjo na bëri që të humbasim edhe “trenin” më të fundit drejt Europës, marrjen e statusit të vendit kandidat. Pavarësisht nga konsideratat apo simpatitë që mund të kenë apo të mos kenë politikanët për njëri-tjetrin, përderisa qytetarët shqiptarë i votojnë forcat politike ata i votojnë që politikanët të punojnë së bashku për të bërë më të mirën për vendin. Në këtë drejtim unë nuk kam pasur asnjë pengesë për tu takuar me z. Rama dhe me çdo politikan tjetër.

Si do ta përkufizonit ju bashkëqeverisjen me Partinë Demokratike?

Kur kemi marrë vendimi për të ndërtuar koalicionin me PD-në mund t’ju them se kam qenë i bindur se ka qenë i vetëm vendim i arsyeshëm që mund të merrej në atë moment pavarësisht se ka qenë një vendim i paparashikueshëm. Natyrisht që edhe unë kam pasur dozat e mia të skepticizmit lidhur me funksionimin e këtij koalicioni. Pas kaq vitesh mund të them se jo vetëm kemi marrë vendimin më të drejtë në atë kohë, pasi çdo vendim tjetër nuk do të shërbente as stabilitetit të vendit dhe as qëndrueshmërisë së institucioneve, por ky koalicion ka funksionuar më mirë se unë e kam menduar në atë kohë.

Nuk keni asnjë gjë që mund të jeni akoma skeptikë?

Unë si natyrë jam skeptikë në tërësi ashtu siç jam gjithmonë optimist por absolutisht që mendoj se problemi kryesor në këto 4 vite nuk ka qenë funksionimi i këtij koalicioni por problemi i një klime më bashkëpunuese dhe më konstruktive në Parlament dhe në vend  midis mazhorancës dhe opozitës. Ne nga ana jonë kemi bërë disa përpjekje për të ç’tensionuar këtë raport dhe për të vendosur disa ura bashkëpunimi me qëllim arritjen e disa objektivave të përbashkëta që kryesisht kanë të bëjnë me integrimin evropian të vendit. Sfida për të ardhmen mendoj se mbetet përsëri forcimi i bashkëpunimit në Parlament midis palëve dhje marrja e përgjegjësive të përbashkëta për sfidat që ka vendi.

Kemi 4 vite gati që kemi aplikuar për marrjen e statusit dhe nuk e kemi marrë akoma. Sa është bërë këto vite në bashkëqeverisjen tuaj për integrimin e vendit?

Besoj se integrimi nuk ka qenë një proces që është penguar nga përmbushja e detyrimeve të mazhorancës, përkundrazi. Parë në këtë këndvështrim mendoj se statusi i vendit kandidat do të ishte marrë 3 vite më parë. Mazhoranca tregoi vullnetin e saj për të realizuar standardet dhe kërkesat sikurse ishte fakti që u plotësua qindra kritere ligjore e teknike për liberalizimin e vizave, që është tani një sukses që është prekur nga 1 milion e gjysmë shqiptarë. Të gjitha çështjet dhe detyrimet që kanë pasur të bëjnë me procesin e integrimit janë përmbushur, që

nga pyetësori, dhe çdo ligj tjetër që ka qenë brenda mundësie të kësaj mazhorance për të miratuar. Për fat të keq ky problem ka mbetur tek aprovimi i tre akteve që kërkojnë 3/5 e votave, pra edhe ato të opozitës. Ndaj unë e theksova se problemi kryesor i këtyre viteve nuk ka qenë funksionimi i koalicionit qeverisës, i cili edhe ai mbetet për tu gjykuar sepse gjithmonë ka vend për diskutim, por problemi kryesor ka qenë klima jo konstruktive në marrëdhëniet midis opozitës dhe mazhorancës.

Ju besoni se na kanë penguar vetëm mosmiratimi i këtyre tre ligjeve për marrjen e një përgjigjeje pozitive për statusin?

Absolutisht që unë kam besimin se vetëm kjo çështje na ka penguar ashtu siç kam besimin se në rast se ne do të kishim plotësuar kërkesat që kanë qenë prej kohësh në statusin mund të kishim marrë edhe para 3 vitesh, edhe para 2 vitesh. Madje atëherë ka qenë edhe më e lehtë sepse kriza në BE nuk ka qenë kaq e mprehtë sa ç’është sot.

Do të bëni një koalicion parazgjedhor me PD-në për zgjedhjet e 23 qershorit siç nga Partia Demokratike kërkohet?

Mendoj se jemi herët për shpalosjen e koalicioneve të ardhshme. Për ne është e rëndësishme të jemi korrekt dhe t’i qëndrojmë marrëveshjes 4-vjeçare që kemi me PD-në pas zgjedhjeve të vitit 2009. Natyrisht që ne e kemi shprehur edhe më parë që do të jetë Konventa Kombëtare e LSI-së në muajin prill e cila do të shprehet edhe për vendimin se si LSI do të paraqitet në zgjedhjet e 23 qershorit. Ne dëshirojmë që këtë debat ta hapim në kohën e duhur dhe jo në mënyrë të parakohshme dhe të marrim një vendim të përgjegjshëm edhe transparent.

Keni filluar të takoheni me z. Idrizi, kryetarin e PDIU-së apo jo?

Jo vetëm me z. Idrizi por jemi takuar  me të gjithë politikanët. Me z. Idrizi jemi takuar edhe për shumë arsye të tjera dhe një prej tyre ka qenë dhe mbetet edhe rezoluta për çështjen çame, një rezolutë që ne e kemi përkrahur dhe e përkrahim fuqimisht.

Duke pasur parasysh programit afër kujt force politike e ndien më afër veten LSI-ja?

LSI gjen pika takime me shumë forca të ndryshme politike ashtu sikurse vështirë të gjesh një përputhje të plotë me secilën prej tyre. Kjo është më se normale  por për ne mbetet angazhimi i çdo force politike lidhur me përshpejtimin e integrimit evropian të vendit dhe së dyti parësore për ne mbetet një program që mbron vendet aktuale të punës dhe shton vende të reja të punës dhe një politikë ekonomike që është në funksion të rritjes së punësimit. Edhe këtu ne do të jemi si gjithmonë të qartë dhe konkretë.

Cilat janë pikat e LSI-së për sa i përket ekonomisë dhe a e mbështet propozimin e FMN-së për rritje taksash?

Ne radhë të parë unë dua të shpreh një keqardhje lidhur me një fushatë për heqje taksash. Kemi dëgjuar një program që synon heqjen e taksave i cili për mua është një demagogji se sa një politikë reale. Në këtë kohë krizash siç e thatë edhe ju FMN-ja kërkon rritje të taksave për arsye sepse kërkohet rritja e të ardhurave. Ne jemi kundër çdo lloj demagogjie lidhur me politikat ekonomike sepse ato të çojnë atje ku është sot situata në Greqi apo edhe në vende të tjera. Mbetet shumë e rëndësishme për të dhënë mesazhe të qarta të qëndrueshmërisë në radhë të parë, duke ruajtur parametrat makroekonomikë, borxhin, deficitin, inflacionin. Së dyti për ne mbetet e rëndësishme një politikë ekonomike që synon rritjen e vendeve të punës. Është gjëja më e lehtë të themi sot në Shqipëri se ne do të bëjmë ndryshe nga të tjerët se do ua marrim lekët të pasurve dhe do tua shpërndajmë të varfërve. Ne harrojmë se këta që i konsiderojmë të pasur, biznesmenët apo sipërmarrësit janë edhe punëdhënësit kryesore në këtë vend dhe janë njerëz të cilët vërtetë mund të duken në pamje të parë si shumë të pasur por çdo muaj duhet të paraqiten tek banka për të shlyer këstet e kredive ndërkohë që konsumi mund të ketë rënë, tregu mund të mos ketë nevojë për momentin për prodhimet e tyre e kështu me radhë. Një element që unë të theksoj është ajo që është thënë nga opozita, taksa e sheshtë si një taksë jo sociale. Kjo vare nga këndvështrimi sepse taksa e sheshtë ka treguar se është edhe më rezultateve për tërheqjen e investimeve edhe në drejtim të rritjes së punësimit. Ndërkohë që absolutisht që ka forma të tjera përmes rishpërndarjes, pra mbrojtjes së kategorive të caktuara që kanë të ardhura më të pakta përmes të cilave qeveria mund të realizojë mbrojtjen sociale. Sllovakia e cila ka qenë ndër të parat që aplikoi taksën e sheshtë pati një bum investimesh të huaja dhe ishte një shembull për investimet e huaja direkte. Kohët e fundit ajo e ka ndryshuara këtë politikë dhe shumë prej kompanive të mëdha kanë ikur prej saj dhe kanë shkuar për në vende të tjera. Për ne si LSI politika kryesore kundër varfërisë dhe politika më më e mirë sociale është politika hapjes së vendeve të reja të punës. Kjo politikë nuk mund të realizohet pa përmirësuar ambientin për biznesin dhe pa e nxitur atë për hapjen e vendeve të reja të punës. Pra është e rëndësishme të synohet një politikë ekonomike që rit punësimin në vend. Kjo është politika   më e qëndrueshme kundër varfërisë përndryshe politika të tjera mund të çojnë në një kolaps financiar. Ndërkohë që ka edhe një rrezik tjetër lidhur me politikën për heqjen e taksës ndaj biznesit të vogël, i cili pajtohem që është në momente tepër delikate, por financat publike mund të shkojnë drejt degradimit në shpërbërje sepse në këtë rast një biznes i mesëm apo i madh mund ta pjesëtojë biznesin e tij në disa biznese të vogla dhe të mos paguajë asgjë. Mund të shkojmë edhe drejt një fenomeni të tillë sepse ka ndodhur edhe në vende të tjera të botës. Kështu që duhet të ketë ide më realiste për të ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme.

Z. Meta cili është qëndrimi juaj në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur dje në Preshevë?

Në fakt është një çudi e madhe ajo që ka ndodhur dje në Preshevë sepse tregon se sa arkaik është lidershipi i sotëm i Serbisë, se sa provokues ai është dhe se sa i painteresuar është për fat të keq për paqen jo vetëm në Luginën e Preshevës por edhe në rajonin tonë. Ai nuk është një provokim vetëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës por është një provokim edhe për shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri edhe kudo. Ngjarjet e Preshevës para 12 po 13 viteve mund të konsideroheshin si të tejkaluara dhe çdo palë të shikonte pozicionin e saj me qëllim që të adresonte çështjet e sotme dhe të perspektivës. Por në mënyrë tepër brutale dhe tinzare qeveria e Serbisë zgjodhi të ngacmojë një plagë të vjetër e cila përbën një provokim ndaj të gjithë shqiptarëve. Është e rëndësishme vetëpërmbajtja dhe urtësia t’i udhëheqë shqiptarët atje në tejkalimin e këtij incidenti pasi kemi të bëjmë me një provokim dhe këtij provokimi nuk është e nevojshme për t’iu përgjigjur me një provokim tjetër. Në fund  të fundit duhet te kemi parasysh se në rast se ekziston një nervozizëm në lidershipin aktual të Serbisë kjo ndodh për arsye se ky është një lidership pasues i atij lidershipi që bëri një luftë ballkanike për të realizuar ato ëndrra të Serbisë së madhe dhe i cili pësoi humbje të vazhdueshme. Tani të gjithë këtë nervozizëm kërkon ta zbrazë ndaj një komuniteti modest të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ky është një nervozizëm që vjen nga humbja e Kosovës, ky është një nervozizëm që vjen edhe nga dështimet e tjera të politikës serbe në të kaluarën. Kjo tregon se sa e vështirë do të jetë për Serbinë ecja përpara në rrugën e një shoqërie vërtet të hapur dhe të emancipuar. Ajo që është e rëndësishme për ne është të tregojmë solidaritetin tonë me shqiptarët e Preshevës dhe të gjejmë të gjitha mënyrat për t’i ndihmuar dhe për t’i mbështetur ata që të qëndrojnë atje ku janë në tokën e të parëve të tyre por edhe që të jetojnë në kushte më të mira. Qeveria shqiptare ka iniciativa konkrete për të mundësuar dhe për të investuar për kushte më të mira për ta. (LajmeShqip.com)