Lajme Shqip Friday, 05 July 2013 09:27

Tiranë – Kreu i LSI, Ilir Meta gjatë një intervistë të dhënë dje për emisionin “Nga A në Zh” të televizionit “Agon Channel” deklaroi se gjatë bashkëqeverisjes me Berishën, Partia Demokratike kontrollonte 99% të pushtetit. 

“Së pari nuk dua t’i ndaj gjërat bardhezi. Së dyti, kjo puna e 20% ka qenë një spekulim i madh, sepse gjërat në të vërtetë nuk kanë qenë kështu. Po kështu ministrat e LSI-së kanë qenë tepër bashkëpunues dhe tepër parimor në qeveri dhe në qeverisje. Kanë qenë tepër konstruktiv, nuk është e vërtetë ajo se ministrat e LSI-së ministritë i kanë pasur si domene të tyre. Kjo është një përrallë. Unë mund t’ju them për shembull, se vetëm në Ministrinë e Ekonomisë, 80% e të gjithë drejtorive në këtë ministri, madje më të rëndësishmet, kanë qenë ose persona që kanë punuar më parë në administratë, përpara se të bëhej koalicioni i vitit 2009, ose kanë qenë kryesisht të propozuar nga ana e PD-së. Apo edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, dihet që më shumë se gjysmën e këtij sistemi e përfaqësojnë sigurimet shëndetësore dhe shumë struktura të tjera. Së pari, LSI-a nuk ka pasur lidershipin e qeverisë. LSI-a ka treguar përgjegjësitë e saj. LSI-a ka marrë dhe kostot e saj, absolutisht, të cilat diku kanë qenë të drejta por në të shumtën e rasteve kanë qenë të padrejta, sepse ka qenë një interes në atë kohë edhe i PS-së më shumë për të goditur përfaqësuesit e LSI-së në media, duke parë të keqen tek aleanca LSI – PD dhe duke e ekzagjeruar shumë raste të sakta dhe të pavërteta por ka qenë dhe interes i segmenteve të PD-së për të ekspozuar gjoja njerëz të LSI-së si përfaqësues të fenomeneve kryesore, ndërkohë kur pushteti real ka qenë 99% në duart e PD”, ka thënë ai.