Lajme Shqip Tuesday, 21 July 2015 14:30

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, David McAllister, ka vlerësuar se ka ardhur koha që të hapen kapitujt në negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Ai për mediat serbe ka bërë të ditur se, sipas të gjitha gjasave, kapitulli i parë që do të hapet do të jetë ai 35, ku në fund do të vijë edhe deri të një marrëveshje e obligueshme mes Serbisë dhe Kosovës.

“Besoj se ka ardhur koha që të hapen kapitujt e parë dhe, besoj që të parët do të hapet deri në fund të këtij viti, ndërsa ata do të mund të jenë 35, 23, 24 dhe 32”, ka thënë McAllister, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, në rastin e Serbisë, për shkak të raporteve të komplikuara me Prishtinën, kapitulli 35 do të ketë një rol kryesor.

“Kapitulli 32 aktualisht mund të hapet, por kjo është teknike, kështu që nuk do të kemi mundësi që t’i hapim vetëm këtë kapitull për të filluar më pas me procesin, pa hapjen paralele të kapitujve tjerë, e që do të jetë ai 35”.

Ai ka bërë me dije se të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë të qartë evropian, por sipas këtij eurodeputeti, kjo nuk mund të arrihet pa një bashkëpunim mes shteteve.

“Në fund do të jetë në favor të të gjithë Evropës dhe Ballkanin Perëndimor nëse arrijmë një zgjidhje të problemit mes Kosovës e Serbisë”.