Lajme Shqip Thursday, 24 September 2015 20:21

Pushtet mbi pushtet po e vlerësojnë Sami Lushtakun, shoqëria civile. Sipas tyre, ai ka dhënë shembullin më të keq të një qytetari i cili duhet të respektojë ligjin dhe rregullat e institucioneve të drejtësisë. Për këto, kryetari i Skenderajt që nga dje po qëndron në Burgun e Sigurisë së lartë.

Këtu Sami Lushtaku dhe 2 të bashkëakuzar në Grupin e Drenicës ishin dorëzuar në QKUK pas disa ditësh të sfidimit të drejtësisë në vend.

Kryetari i Skenderajt, Ismet Haxha e Sahit Jashari nuk arritën për disa ditë të arrestohen nga Policia kur u ikën oficerëve të Shërbimit Korrektues në hapësirat e QKUK-së.

Që nga dënimi në grupin e Drenicës, edhe familjarë të tij kanë pranuar se ai kryesisht ka qëndruar i shtrirë në QKUK deri para pak ditësh kur përsëri u zhduk nga këto hapësira.

Ai u arrestua nga Policia e EULEX-it e cila po e përcillte tash e një kohë.

Pra, tradicionalisht Lushtaku ka treguar se nuk i përfill institucionet e Kosovës.

Kështu zyrtari i PDK-së vazhdimisht ka testuar sistemin e drejtësisë në vend

Sami Lushtaku është dënuar me 12 vjet burgim për krime lufte në rastin Drenica.

Në Burgun e Sigurisë së lartë kryesisht janë të dënuarit me më shumë se 15 vjet burgim por ka edhe të burgosur problematik që janë arratisur nga burgjet më shumë se 5 herë.

Për problemin e ‘të fortëve’ për të respektuar sistemin, fajin shoqëria civile ia hedh më së shumti Ministrisë së Drejtësisë por edhe EULEX-it.

Jo vetëm Lushtaku por edhe kryetarë të tjerë komunash kanë dëshmuar se janë përtej ligjit.

Pa asnjë pengesë, nëpërmjet Aeroportit të Prishtinës Xhabir Zharku ish-kryetar i Kaçanikut kishte ikur për në Suedi ku edhe sot jeton.

Ish-kryetari i degës së PDK-së, në Kaçanik është i dënuar me 3 vjet burgim për detyrim dhe armëmbajtje pa leje./koha.net/