Lajme Shqip Wednesday, 14 August 2013 13:58

Tiranë- Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar sot në lidhje me situatën e krijuar me familjet rome të cilët janë dëbuar nga barakat në Tiranë.

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili në një konferencë për shtyp u shpreh se kërkohet një zgjidhje emergjente për zgjidhjen e situatës së krijuar me familjet rome.

“Sot BE-ja pret qëndrim dinjitoz nga Shqipëria pasi kjo çështje është ndër prioritetet e integrimit të vendit. Ne mbështesim çdo mundësi që i jep zgjidhje këtij problemi shumë akut. Duhet zgjidhje e shpejtë për romët. Qeveria në ikje u tregua indiferente ndaj këtij komuniteti ” tha Vasili.

SHQUP
I pyetur për vendimin e shndërrimit të SHQUP në seli të PD-së, Vasili e vlerësuar këtë vendim si, të nxituar dhe të gabuar. Ai ka deklaruar se qëndrimi i LSI është në koherencë me atë të PS për këtë çështje.

“Vendimi për SHQUP është i nxituar, i gabuar, bie ndesh me përmirësimin e strukturave të FA të një vendi anëtar i NATO-s, që kërkon përmirësime e ambiente gjithnjë e më moderne. Fakti qe qeveria merr vesh pas 23 qershorit që selia e PD është në pronë private është qesharak”, tha ai.

“Çdo mungesë transparence në publikimin e akteve të qeverisë është i dënueshëm sepse këto akte duhet të jenë transparente dhe të hapura, jo vetëm për mediat por dhe për publikun e gjerë”.

Vasili tha se çdo mungesë transparence për aktet e qeverisë është e dënueshme, ku theksoi se qeveria e re e mbas shtatorit do të verifikojë gjithë vendimet, cilat kanë qenë të drejta dhe cilat kanë qenë në dëm të shqiptarëve dhe ato vendime që kanë qenë abuzive do të rishikohen.
“Dhe vendimi për Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë Popullore është një vendim i gabuar në kohe të gabuar. Ky vendim bie ndesh edhe me krijimin e strukturave të ushtrisë dhe përmirësimit të standardeve dhe ambienteve gjithnjë e më të bollshme dhe moderne. Çështja që selia e Partisë Demokratike paska qenë pronë private dhe që PD e merr vesh pas 23 qershorit, është qesharake dhe duhet ndalur”, u shpreh me tej Vasili.

Administrata
I pyetur nga mediat se çfarë qëndrimi do të mbajë qeverisja e re ndaj administratës aktuale që i frikësohet një spastrimi, Vasili bëri me dije se LSI nuk vepron me filozofi të tilla. Sipas nënkryetarit të LSI, rreth administratës do përdoret si udhërrëfyes ligji shqiptar dhe efiçenca në punë e punonjësve të administratës.
“Termi spastrim nuk ka lidhje me filozofinë e mazhorancës së re dhe nuk tregon thelbin e një administrate europiane. Ne do të kemi udhërrëfyes legjislacionin shqiptar dhe askush nuk do jetë i kërcënuar nga hakmarrja politike, por testi i tyre do jetë puna e tyre me efiçensë”.

KQZ
Petrit Vasili komentoi në interes të mediave të pranishme në konferencën për shtyp dhe situatën me KQZ. Sipas Vasilit, mazhoranca e re do të punojë për riformatimin e këtij institucioni.
“Çështja e KQZ është shqetësimi i LSI-së në veçanti, por edhe një shqetësim që i takon gjithë politikës shqiptare që nuk përfaqësohet më bnë KQZ. Thënë më ndryshe, përfaqësohet vetëm pjesa e qeverisë në ikje. Si i tillë, KQZ ka legjitimitet të cunguar, riformatimi, kthimi i KQZ është një sfidë e mazhorancës dhe LSI si pjesë e kësaj do punojë për kthimin e legjitimitetit. Është një zgjidhje që do kohën e saj, por në një kohë jo të gjatë janë zgjedhjet lokale dhe duhet punuar dhe në këtë drejtim”.