Lajme Shqip Monday, 31 August 2015 12:49

​Formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, mund t’i hapë rrugë krijimit të autonomie territoriale për komunat shqiptare në jug të Serbisë, shkruan agjencia e ruse e lajmeve “Sputnik”.

Udhëheqësit politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu dhe Ragmi Mustafa, në një intervistë për “Sputnik”, kanë thënë se ata do të kërkojnë reciprocitetMusliu ka thënë se do të koordinohen me Prishtinën dhe Tiranën për të kërkuar reciprocitet në raport me të drejtat që serbëve u jepen në Kosovë.

Ai ka thënë se të drejta të njëjta do të duhet t’u jepen edhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke iu shmangur përgjigjes nëse me këtë po nënkuptonte autonomi për këtë pjesë të territorit të jugut të Serbisë.

Musliu ka thënë se të njëjtat kompenteca që përmes Asociacionit u jepen serbëve në arsim, gjyqësi dhe polici, “kërkojmë edhe për shqiptarët në Luginë”.

 “Nëse serbëve u jepet autonomi në Kosovë, pse e njëjta të mos na jepet edhe neve”, ka thënë Musliu.

Musliu, i cili aktualisht mban pozitën e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, dhe dikur ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndërmarrjes së masave të tjera, nëse kjo kërkesë e tyre nuk realizohet.

 “Ne fillimisht do t’i japim prioritet dialogut, por nëse përmes kësaj nuk arrihet, atëherë shohim për masa tjera”, ka thënë ai.

Qëndrim të njëjtë mban edhe Ragmi Mustafa. Ai thotë se kjo kërkesë nuk është diçka e re. Sipas tij, shqiptarët e jugut të Serbisë, që nga fillimi i negociatave të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, kanë kërkuar që ajo çfarë do t’u jepet serbëve në Kosovë, e njëjta t’u jepet edhe shqiptarëve në Serbi.