Lajme Shqip Monday, 28 September 2015 12:35

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u takua sot në Nju Jork me Presidentin e Këshillit të Deputetëve dhe Ushtruesin e Detyrës të Presidentit të Libisë, Agila Saleh.

Në këtë takim, Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Saleh biseduan për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe përkrahjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Libisë.

Presidentja Jahjaga vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe kërkoi përkrahjen e Libisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës në kontinentin afrikan si dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO.

UD i Presidentit të Libisë Saleh theksoi se Libia do të vazhdojë bashkërendimin e përafërt me Kosovën për ta mbështetur atë në arenën ndërkombëtare si dhe për të përkrahur procesin e anëtarësimit në UNESCO.

Ai theksoi se Kosova është shembull i progresit të vendeve që dalin nga konflikti. Ai kërkoi gjithashtu ndihmën e Kosovës në këmbimin e përvojave të shtetndërtimit dhe bashkëjetesës, duke vlerësuar Kushtetutën e Kosovës si model për hartimin e Kushtetutës së re të Libisë.