Lajme Shqip Wednesday, 23 September 2015 14:30

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë për zhvillimet e papranueshme të ditëve të fundit, të orkestruara dhe të drejtuara nga opozita.

LDK-ja dënoi aktet e dhunshme të ditës së djeshme në Kuvendin e Kosovës dhe vlerëson se veprimet e tilla të opozitës dëmtojnë rëndë demokracinë dhe funksionim normal të institucioneve kushtetuese dhe janë në kundërshtim të plotë me aspiratat e popullit të Kosovës.

“LDK-ja dënon të gjitha sulmet ndaj pronës publike dhe pronës private të bëra nga ana e opozitës, si akte në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe normat, me qëllim të vetëm përfitimin politik e në dëm të interesave madhore të vendit. LDK-ja dënon sulmet e përsëritura ndaj Kryeministrit të vendit dhe i konsideron ato si veprime të rrezikshme për demokracinë e re të Kosovës. LDK-ja dënon ashpër tentimin e sotëm për të sulmuar dhe rrezikuar jetën e Kryeministrit të Kosovës nga njerëz që nuk ia duan të mirën vendit, që janë kundër demokracisë dhe prosperitetit, si dhe që po tentojnë që pa zgjedhur mjete ta pengojnë Kosovën në rrugën e saj evropiane”, thuhet në reagim të LDK-së.

LDK-ja e konsideron tepër të rrezikshme thirrjen e opozitës për të penguar funksionim e shtetit të Kosovës dhe kërkon që ajo të heqë dorë dhe të distancohet nga aktet e dhunës dhe nga veprimet që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.

“LDK-ja fton opozitën që të veprojë sipas ligjeve dhe që të gjitha pretendimet e veta t’i shprehë me argumente brenda institucioneve kushtetuese e jo përmes akteve të papranueshme të dhunës. LDK-ja i jep mbështetje të plotë Kryeministrit, Qeverisë dhe institucioneve të vendit që të shtyjnë përpara agjendën e integrimeve euro-atlantike dhe që të vijojnë të punojnë ngushtë me partnerët tanë strategjikë, BE-në dhe SHBA-të, në dobi të të gjithë qytetarëve te vendit”, thuhet në reagimin e LDK-së.