Lajme Shqip Sunday, 30 August 2015 08:22

Në lidhje me arrestimin e mbrëmshëm të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se është e papranueshme që në orën 22.00 nga zyrtarë të Komunës, jashtë orarit të punës, të rrezikohen ambientet e brendshme të hapësirës dhe objekteve të Komunës së Prishtinës.

Grupi i LDK-së në Prishtinë konsideron se është e papranueshme që aktivistë-militantë politikë të VV, që kanë kontratë mbi vepër, të kenë detyra të caktuara militante-partiake në Komunë. Sali Zyba është njëri nga ta, i cili, për më shumë, është i deleguar i derjtëpërdrejtë i zyrave të VV në Komunë. Dihet se detyra e tij zyrtare prej këshilltari të kryetarit të Komunës është kamuflim i detyrës së tij partiake, e ajo është detyra e komesarit politik të VV për komunën e Prishtinës.

Kryetari i komunës i del në mbrojtje një komesari të VV, sepse i njëjti është urdhërdhënës dhe monitories partiak i Shpendit për kryeqytetin. Pra, kryeqytetin nuk e udhëheq Shpendi, por e udhëheq VV me komesarët e saj poltikë si Sali Zyba me bashkëpunëtorë të tjerë.

Nuk është rastësi që Sali Zyba gjendet në ambientet e Komunës në orë të vona, nuk është rastësi që i njëjti nuk u përgjigjet urdhërave të policisë, të cilët veprojnë sipas detyrës zyrtare dhe nuk është rastësi që Shpend Ahmeti del dhe e mbron këshilltarin e tij, pra komesarin politik të VV në Komunën e Prishtinës.

Grupi i LDK-së konsideron po ashtu se nuk është rastësi që kryetari i komunës po konsideruaka se komesari Sali Zyba dhe shokët e tij nuk marrin rrogë nga ai por nga komuna dhe taksat e qyetarëve. Pra edhe më keq se kaq, keqpërdorimi i taksave të qytetarëve po bëhet nga militantë politikë të VV dhe komesarët e saj në Komunën e Prishtinës me dije dhe me leje të kryetarit të Komunës.

Grupi i LDK-së konsideron se Shpend Ahmeti po i mbron komesarët, sepse ata e kanë në dorë të ardhmen e tij politike. Ata e kanë futur tashmë në vorbullin dështues të kryeqytetit. Shpendi, në vend se të jetë pjesë e zhvillimit të kryeqytetit, ai po bëhet gati që edhe një herë të dalë në protesta dhune në kryeqytet. Shpendi edhe njëherë po përpiqet ta mbulojë turpin e tij qeverisës në Prishtinë.

Grupi i LDK-së konsideron se kryetari i Prishtinës duhet të mbrojë interesat e qytetarëve të Prishtinës duke qenë në shërbim të shtetit, ashtu siç e bën një kryetar kryeqyteti, e jo duke mbrojtur komesarët politikë të VV dhe ata që thërrasin për dhunë ndaj shtetit” (sic.), thuhet në kumtesë.