Lajme Shqip Thursday, 23 July 2015 07:58

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot do të mbajë seancën e vet të radhës, ndërsa para se të kalojë në rendin e paraparë të ditës, pritet që të votojë për rezolutën për misionin e EULEX-it, të cilën dje e propozoi deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Në mbledhjen e djeshme Kuvendi nuk votoi për rezolutën për shkak të mungesës së kuorumit. Megjithatë, në seancën e sotme pritet që ajo të hidhet në votim, ndonëse koalicioni qeverisës PDK-LDK qysh në fillim të debatit thanë se nuk do ta përkrahin rezolutën.

Ndërkaq, në rend dite të seancës së sotme të rregullt të Kuvendit janë pyetjet parlamentare, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për armë.

Për shqyrtim të dytë para deputetëve do të gjendet edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pajisje me armë, municion dhe pajisje përkatëse të sigurisë për institucionet e autorizuara shtetërore për siguri, ndërsa do të shqyrtohet edhe raporti vjetor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2014.