Lajme Shqip Tuesday, 29 September 2015 10:23

Shërbimet sekrete evropiane janë të mobilizuara në mbikëqyrjen e xhihadistëve të rikthyer nga Siria, posaçërisht në rajonin ende të trubullt të Ballkanit.

Kur flitet për tmerr, Lavdrim Muhaxheri nuk ka për të marrë mësime. Në maj të vitit të kaluar ky luftëtar i shtetit islamik (IS), 26-vjeçar, me fytyrë të bardhë dhe flok të skuqura, shfaqet në njëren nga ato video propagandistike të grupit terrorist të gjiruara në Siri: mund të shihet Lavdrimi me një raketëhedhëse në krah, duke e qëlluar një të burgosur, të cilin e kanë lidhur për një shtylle. Një vit më parë ai ishte shfaqur në një dokument tjetër, në të cilin Lavdrimi ia hiqte kokën një ushtari të regjimit të Bashar El-Assad.

Në Kosovë këto imazhe e kanë lënë me gojë hapur një popullatë, e cila e zbulon se këtij tmerri po i kontribuon edhe njëri prej tyre. Edhe pse T.D., një tjetër kosovar, i cili ka shkuar në Siri, e përshkruan Muhaxherin si një “palaço, i cili nuk është aspak kredibil brenda për brenda ISIS-it dhe i cili e kalon kohën e tij duke i numëruar “likes” që i merr në Facebook”, ekzekutuesi është bërë maskota e xhihadit në Kosovë. Sipas shifrave zyrtare, që nga 2011, 300 kosovarë kanë shkuar në Siri dhe Irak dhe 80 ende janë duke luftuar sot, kryesisht tek Daesh (ISIS) dhe Jabhat al-Nosra (JAN), organizatë e lidhur me Al-Kaidan. Këta numra janë shqetësues.

“Me 16 luftëtarë për 100.000 banorë, përqindja e rekrutimit është 8 herë më e madhe sesa i shtetit të Frances, që konsiderohet të jetë furnizuesi më i madh i xhihadistëve në Evropë”, raporton instituti CTC (Combatting Terrorism Center), bashkëpunëtor i kademisë ushtarake të West Point.

Por qeveria e Kosovës e minimizon fenomenin, duke shpjeguar se Kosova është shtet me shumicë myslimane dhe këto shifra duhet të krahasohen më shumë me shtete si Tunizia dhe Maroku, sesa me ato të BE-së. Por nuk mjafton. Kosova është një territor ku laiciteti ështe shumë i përhapur. Atje, ndikimi amerikan është po ashtu i madh. Dhe në shtete të tjera të rajonit me shumicë myslimane, si Bosnja, personat e angazhuar për xhihad nuk janë edhe aq të shumtë.

“E kemi prerë kokën e gjarprit, por trupi lëviz ende”

“Për një kohë shumë të gjatë autoritetet nuk kanë pasur dëshirë të mirren me problemin”, tregon Florian Qehaja, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), që e ka publikuar në pranverën a kaluar një raport për temën. Politikanët në Kosovë kishin shumë frikë se po armiqësoheshin me popullatën myslimane (edhe pse laiciteti është shumë i përhapur në Kosovë, 90% të popullatës e praktikojnë islamin). “Ka pak më shumë se një vit që qeveria ka vendosur të reagojë. Në gusht të vitit 2014 policia ka kryer një operacion të rëndësishëm. Përafërisht 60 persona janë arrestuar, ndër ta shumë ish-luftëtarë të rikthyer në Kosovë, tetë imamë, duke përfshirë Myftiun e Prishtinës dhe disa përgjegjës të OJQ-ve. Por, a ka qenë e tërë kjo e mjaftueshme? “Jo, sipas gazetares Serbeze Haxhiaj, e cila ka punuar në këtë dosje.”Edhe pse numri i të shkuarve ka rënë në mënyrë drastike (vetëm njëzet që nga fillimi i vitit), reagimi ka qenë i vonshëm dhe rrjetet xhihadiste kanë pasur kohë për t’u implantuar. “E kemi prerë kokën e gjarprit, por trupi lëviz ende”, tregon Florian Qehaja.

Është e vërtetë se rrjeti ka fituar shumë kohë. Në fund të luftës ndaj Serbisë, Kosova hapet ndaj të gjithave dhe posaçërisht koncepteve vehabiste të ardhura nga Arabia Saudite. Xhami të financuara nga shtetet e Golfit shfaqen mbi tokë, asociacione bamirësie saudite të ndryshme lindin brenda shtetit. Më 2005 fillon një frymë e re islame në Kosovë, takfirizimi, ideologji që e bën dhunën parimin e saj kryesor. Një numër i madh imamësh të trajnuar në Egjipt kthehen në Ballkan. Në Maqedoni fillimisht dhe pastaj në Kosovë. Ata hynë nëpër xhamia dhe disa OJQ saudite.

“Profili i xhihadistit kosovar: 28-vjeçar dhe nuk ka më shumë se një shkollë të mesme”

Pas shfaqjes së JAN dhe Daesh (ISIS) në Siri dhe Irak, këta ligjërues takfiristë luajnë rolin e rekrutuesve. Ata i frekuentojnë xhamitë edhe pa qenë imamë, organizojnë mbledhje në apartamente private. Një konvikt në Prishtinë i mirëpret dhe tenton t’ua shpëlajë trurin. Propaganda në internet e kryen pjesën tjetër të punës. Targetet e tyre? Të rinjtë e varfër nga pjesët rurale, të cilet nuk mungojnë, sidomos në një vend ku papunësia prek 35% të popullatës. “Xhihadisti tipik në Kosovë është 28-vjeçar dhe nuk ka shkuar më larg se shkolla e mesme”, tregon Florian Qehaja. 40% të tyre kanë një të kaluar kriminale”, tregon përgjegjësi i Qendrës.

Ku veprojnë? Qytetet, Prishtina ose Prizreni, por edhe zona kufitare me Maqedoninë, një rajon tradicionalisht shumë besimtar dhe i kthyer te Maqedonia, ku punojnë shumë imamë radikalë. Për më shumë, 80% të xhihadistëve i bashkohen Sirisë përmes Maqedonisë.

Dhe saktë në këtë vend gjendet Kaçaniku, vend i 35.000 banorëve. Ky qytet është një pikë e fortë e xhihadismit kosovar. Është vendi ku ka lindur “përbindëshi” Lavdrim Muhaxheri, “një fëmijë normal dhe i sjellshëm”, thuhet në qytet. Sikurse ai, 23 të tjerë e kanë lënë qytetin e tyre për të shkuar në Siri dhe Irak. Kryetari i qytetit, Besim Ilazi, duket se e ka pranuar lehtë faktin: “7 deri në 8 % të luftëtarëve kosovarë në Siri vijnë nga komuna ime, nuk është aq e rëndësishme”.

Edhe pse ekzistojnë mbledhje në lidhje me sigurinë çdo muaj me imamin e qytetit, kryetari tregon se nuk flasin shumë për këtë problem me të administruarit e tij, që nuk ka kërkuar ta kuptojë duke vizituar familjet e xhihadistëve, që nuk e ka parë qytetin e tij duke u radikalizuar dhe që nuk ka parë organizata humanitare të dyshimta duke u themeluar në qytet. Ai i paraqet disa argumente për ta arsyetuar fenomenin, varfërinë e Kaçanikut, religjionin e rajonit dhe vlerëson që kjo çështje nuk është aktuale, sepse asnjë largim nuk është regjistruar muajt e fundit. Është e qartë që kjo temë paraqet pengesë dhe i fut në pozita të këqija autoritetet e xhamisë së madhe, ku vlerësohet se mediet e kanë “prishur imazhin e islamit.”

Raif Dema, ish-kryetar i xhamisë së mëhallës Bobi, shqetësohet nga ky radikalizim: “Personat me mjekra i kemi parë që nga paslufta”, thotë ky 60-vjeçar. Në atë kohë i kam përzënë nga xhaia. Por pasi që ishin rrënjë e keqe, janë shpërndarë shumë çdokund.” Njëri nga kusherirët e tij është konvertuar dhe ka shkuar në Siri, ku është vrarë. Sipas tij, pavarësisht nga arrestimet e shumta, rrjeti në qytet nuk është ndaluar totalisht: “Ata janë këtu ende. Punojnë nëntokë”.

“Qeveria jonë na ka thënë se duhet të luftojnë kundër Assadit dhe kur shkuam atje, na bombarduan amerikanët”

M.F., 27-vjeçar, i cili jeton në Kaçanik, betohet se nuk e frekuenton më atë mes. Nga nëntori 2013 dhe gushti 2014 ai ka qënduar në Siri, në Kafr Hamrah, në veri të qytetit Alep. Nga këta tetë muaj xhihad ai ka ruajtur një zemërim të pabesueshëm që i vërehet në shikim. M.F. tregon se ka zgjedhur t’i bashkohet luftës pasi që “kishte parë fëmijë sirianë të cilëve të drejtat iu kishim dhunuar”. Edhe pse është trajnuar ushtarakisht dy muaj, ai siguron se kurrë nuk ka luftuar dhe ka mbetur në kampin e Ahrar al-Cham, një grup salafist.

“Unë dhe miku im ishim të vetmit nga Kosova. Të gjithë të tjerët ishin sirianë”. Andaj, pse ky njeri nuk është në gjendje ta thotë as edhe një fjalë në gjuhën arabe? Sepse gënjen, sipas një eksperti i cili ka punuar në rastin e tij dhe i cili dëshiron të mbetet anonim: i riu ka luftuar për Daesh (ISIS). Sot, M.F. tregon se është penduar jashtëzakonisht për “të gjitha të këqijat që ia ka bërë familjes së tij”.

Por jo të gjithë xhihadistët pendohen për veprat e tyre. Disa kilometra larg Kaçanikut, në qytetin e Elez Hanit, Muxhahidi, i cili refuzon të shprehet, lë për të kuptuar se nuk është pishman për kohën e tij të kaluar te Daesh (ISIS): “Qeveria jonë na ka thënë se duhet të luftojmë kundër Assadit dhe kur shkojmë atje, na bombardojnë amerikanët, a ju duket kjo normale?”, tregon ai para se ta kthejë shpinën.

Çfarë rreziku paraqesin këta xhihadistë të papenduar? “Kosova ende është një tokë e rekrutimit për Daeshin (ISIS).

Niveli i vigjilencës mbetet i moderuar”, shprehet Floriani. Por nuk duhet harruar se vendi ishte pre e kërcënimeve të qytetarëve të saj përmes disa videove të postuara nga ISIS. Në korrik, një panik i madh kishte kapluar vendin, kur policia i arrestoi pesë individë të lidhur me ISIS, të cilët kishin planifkuar helmimin e liqenit që furnizon një pjesë të vendit me ujë. Fuqia e keqbërjes nga takfiristët dhe radikalët e tjerë është e sigurt. T.D., xhihadisti i penduar, tregon se kërcënohet nga shokët e tij të luftës. Po ashtu, e njëjta vlen për ata që merren me këtë çështje.

Më e keqja është që jo të gjithë xhihadistët vërehen kur kthehen nga xhihadi. Kështu, një ish-luftëtar i UÇK-së, i cili është bërë shumë besimtar dhe i cili ka shkuar në Siri, u ka ikur radarëve të shërbimeve sekrete.

Sot ai fshihet në rajonin e Prizrenit, qyteti i dytë në Kosovë sa i përket madhësisë.

Si të kundërshtohet radikalizmi në mënyrë efikase? Florian Qehaja thotë se qeveria kosovare duhet të bëjë më shumë.

“Sot, opsioni i sigurisë është i preferueshëm. Duhet të veprojmë në fushat e arsimit dhe të kulturës. Por, për momentin, asgjë nuk është bërë”