Lajme Shqip Friday, 23 October 2015 09:24

Kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nismës për Kosovën” dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se ekzistojnë dy zgjidhje për tejkalimin e krizës politike në vend, tërheqja e Qeverisë nga Marrëveshja për Asociacionin dhe nga ajo për Demarkacionin, ose të kërkohet vendimi i popullit, qoftë në referendum ose në zgjedhje të parakohshme.

Këto qëndrime Krasniqi i ka dhënë në një intervistë për gazetën “Zëri”. Ai ka thënë se nuk pret që nga ndërhyrja e presidentes, Atifete Jahjaga, do të gjendet ndonjë zgjidhje, pasi Krasniqi ka vlerësuar se problemi ka shkuar shumë larg.

Ish-kryeparlamentari e ka vlerësuar si të gabuar thirrjen e seancës së Kuvendit nga Kryesia, pasi ai ka thënë se opozita është vendosur që të pamundësojë vazhdimin e punës në Kuvend derisa të tërhiqet Marrëveshja për Asociacionin dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi. Ndërsa, sipas tij, kundërshtimi do të bëhet konform asaj që e kërkon situata.

“Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit kanë gabuar që e kanë thirrur mbledhjen e Kuvendit edhe për faktin se Kuvendi nuk është krijuesi i problemit. Problemi nuk mund të zgjidhet në Kuvend. Tentimi për të thirrur mbledhjen, nuk është përpjekje për zgjidhjen e problemit, por për përkeqësimin e situatës politike. Kriza politike duhet të zgjidhet me urti. Se a kemi urti politike të mjaftueshme, kjo lë për të dëshiruar shumë. Kam bindjen se ata që e kanë këshilluar kryetarin e Kuvendit për të thirrur mbledhjen, nuk ia kanë dashur të mirë”.