Lajme Shqip Monday, 08 July 2013 14:49

Prishtinë – Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që Projektligji për amnistinë të futet në rend të ditës për seancën e së enjtes për lexim të parë. Ndonëse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi nuk ka dashur të bëjë publike sot votën e tij për Projektligjin për amnistinë, ai ka thënë se Qeveria është dashur të jetë më transparente ndaj publikut se çka përmban ajo marrëveshje dhe kujt po i kushtohet ky Projektligj.

Pas mbledhjes së kryesisë, Krasniqi i ka bërë këto komente, duke thënë se në seancën e së enjtes do të dal në rend të ditës Projektligji për amnisti dhe më pas seanca vendos për të.

“Këtë javë kemi marr vendim të kemi dy seanca. Seanca e parë do të ketë pikat e përhershme dhe shqyrtimin e parë të Projektligjit të ri të sjellë nga Qeveria për amnistinë. Seanca vendos me 2/3 a do të merr në shqyrtim apo jo, si çdo të vendos seanca se kur do të bëhet shqyrtimi i dytë i projektligjit dhe të premten kemi seancë tjetër të rregullt me pikat tjera të rendit të ditës për të cilat ju informon më detajisht zyra për informim”, ka theksuar Krasniqi.

I pyetur se si do të jetë vota e tij për këtë projektligj, ai nuk ka dashur të bëjë publike sot, por ka thënë se ajo do të dihet të enjten.

Kreu i legjislativit ka thënë se Qeveria është dashur të jetë më transparente për përmbajtjen e marrëveshjes dhe të tregoj se për këndë po bëhet ky projektligj.

“Përhirë të së vërtetës dua të them që opinioni e dinë qëndrimin tim për marrëveshjen dhe unë kam qenë që marrëveshja të ishte më transparente dhe t’i thuhej hapur se çka përmban ajo marrëveshje, gjithashtu kërkesa ime do të ishte edhe sa i përket këtij ligji të thuhej saktë pse po bëhet dhe kujt po i kushtohet më tepër ky ligj dhe të shkon si një ligj për amnistinë e përgjithshëm. Unë mendoj që këtu ka dallime, megjithatë janë ato seancat e Kuvendit që vendosin për të shkuar më tej ose për të kërkuar plotësim dhe rishiqime të reja”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se Qeveria sërish ka proceduar projektligjin me korrigjimet e nevojshme dhe është vendosur që të procedohet në seancë.

I pyetur se a do të përkrahet ky projektligj edhe nga deputetët e PDK-së, pasi që në seancën e fundit kanë pasur vërejtje të shumta, Grabovci nuk ka qenë i sigurt se a do të përkrahin edhe të tjerët, siç do të përkrah ai vet.

“Shiko deputetët kanë të drejtën e vet të deklarohen shlirshëm për të që binden se është në dobi të procesit. Unë personalisht mund të deklaroj se jam i bindur se është në dobi të procesit edhe nëse nuk bëjmë zgjedhjen përfundimtare, por do t’i ndihmojmë përfundimit të suksesshëm të procesit dhe të sigurisë dhe tërësisë territoriale, të sovranitetit të vendit dhe të avancimit të procesit tonë për të aderuar në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Grabovci.

Ndonëse ka kërkuar që të futet si pikë e rendit të ditës në seancën e së enjtes, ai ka thënë se kjo do të bëhet kur të plotësohen të gjitha kriteret e nevojshme.

Ndërkohë kreu i legjislativit, Krasniqi ka folur për auditimin që Auditori i Përgjithshëm ja ka bërë Kuvendit të Kosovës dhe ky institucion ka dal më së miri nga auditimi dhe ka vepruar në përputhje me ligjet./Kosovapress/Lajmeshqip/