Lajme Shqip Tuesday, 29 September 2015 07:48

Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, në emisionin “Rrokum Roll” të TV Rrokum, ka thënë se opozita me kërkesën për tërheqjen e nënshkrimit të marrëveshjes për Asociacionin dhe demarkacionin po mbron funksionimin e institucionit të shtetit për të funksionuar në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Krasniqi ka thënë se opozita është më e konsoliduar dhe e bashkuar dhe duhet të vlerësohet edhe më shumë.

Sipas tij, koalicioni qeverisës në Kosovë është formuar vetëm për interesa personale të njerëzve të caktuar, e jo per interesa te popullit. “Kjo qeveri është duke mashtruar vendin në çdo proces dhe vendim të tyre”.

Ai thotë se vendi është kapluar nga një krizë morale. “Kriza morale shfaqet kur vendi është në trazicion, por te ne trazicioni po zgjat më shumë sesa në vendet e tjera”, shtoi Krasniqi.

Lidhun me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, Krasniqi tha se ato janë të dëmshme për Kosovën. “Partitë në pushtet duhet ta dinë që nuk e kanë as 1/3 e votuesve, pra nuk e kanë as shumicën e qytetarëve, përderisa opozita e ka”, tha ai.

Sipas tij, opozita ka arsye për bllokim të Kuvendit. “Marrëveshjet e 25 gushtit është dashur të votohen në Kuvend. Por ata (Qeveria) kanë qenë të sigurtë se kjo marrëveshje nuk kishte me u votue nga deputetët”, vleresoi Krasniqi.

Ai thotë se bisedimet kanë qenë të papërgatitura dhe jo transparente.

Për koalicionin PDK-LDK, Krasniqi tha se nuk është koalicion që përmirëson gjendjen në vend.

“Është një koalicion për përfitime personale, e jo për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Kjo i dedikohet Mustafës, që i ka bërë mashtrim anëtarëve te LDK-së. Mashtrimi nuk prodhon diçka tjetër përpos mashtrimit”, tha ai.

Krasniqi tha se kjo Qeveri e ka nis keq në cilindo segment të jetës dhe “sa më shpejt që shkon kjo Qeveri, aq më mirë ka me qenë për vendin tonë”.