Lajme Shqip Tuesday, 29 September 2015 11:04

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, takoi në Nju Jork përfaqësuesit e Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbje (GCERF), zonjën Carol Bellamy, udhëheqëse e Bordit, dhe zotëri Khalid Koser, drejtor ekzekutiv i fondit, me të cilët diskutoi përfshirjen e Kosovës në nismat e kësaj organizate për të çrrënjosur ekstremizmin dhe parandaluar radikalizimin.

Presidentja Jahjaga u shpreh e kënaqur me vendimin e Fondit Global që në dhjetor të këtij viti të formalizojë përfshirjen e Kosovës si njërin nga pesë shtetet që do të përfitojnë nga fondi prej 25 milionë eurove për nisma dhe projekte që për qëllim kanë parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, transmeton Koha.net.

Sipas komunikatës për medie, Presidentja theksoi se është lajm i mirë që Kosova ka përmbushur kriteret e kërkuara për t’u bërë një nga pesë shtetet në botë që përfitojnë nga nismat e fondit në këtë fazë dhe mirëpret vizitën e përfaqësuesve të kësaj organizate shumë shpejt në Kosovë.

Ky takim është në vazhdën e takimeve që presidentja Jahjaga ka pasur me përfaqësuesit e kësaj organizate këtë vit në Gjenevë. Zyra e Presidentes ka komunikuar vazhdimisht me GCERF për përfshirjen e Kosovës në fondin e saj.

Fondi Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes ka selinë në Gjenevë dhe është themeluar si përpjekje globale përmes partneritetit publiko-privat, në bashkëpunim me qeveritë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, për të mbështetur përpjekjet e shteteve për të adresuar ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin.