Lajme Shqip Monday, 20 July 2015 10:25

Anëtarësimi në UNESCO nuk është i kufizuar vetëm për vendet që janë anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kosova ka paralajmëruar se do të aplikojë për anëtarësim në UNESCO, njërën nga 16 agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara e cila fushëveprimin e saj e ka në përcaktimin e trashëgimisë botërore krahas promovimit të bashkëpunimin midis vendeve anëtare në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, komunikimit dhe informimit.

Ka disa vjet që Kosova është anëtare e dy agjencive të specializuara shumë të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara: Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

UNESCO ka selinë qendrore në Paris të Francës, një buxhet vjetor prej afër 330 milionë dollarësh dhe me një staf prej 2 mijë vetash në 65 zyra të ndryshme anekënd botës.

Aktivitetet e UNESCO-s financohen përmes një kombinimi të kontributeve të përcaktuara për shtetet anëtare për buxhetin e saj të rregullt, si dhe kontributeve vullnetare. Kontribuuesi më i madh i buxhetit të UNESCO-s janë SHBA me rreth 22 për qind, mirëpo për shkak të pranimit të Palestinës në organizatë, Washingtoni ka ndalur këtë kontribut nga viti 2012 duke humbur kështu edhe të drejtën e votës në Bordin Ekzekutiv. Me Palestinën UNESCO ka 195 anëtarë.

Anëtarësimi në UNESCO nuk është i kufizuar vetëm për vendet që janë anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas kushtetutës së UNESCO-s shtetet që nuk janë anëtare të OKB-së mund të pranohen në organizatë me rekomandimin e Bordit Ekzekutiv dhe me dy të tretat e votave të anëtarëve të pranishëm dhe që votojnë të Konferencës së Përgjithshme.

Shumica e vendimeve të Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, përfshirë edhe rekomandimet për anëtarësim, kërkojnë vetëm një shumicë të thjeshtë votash, raporton RTK.

Serbia e as Rusia nuk mund të pengojnë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Kosova do të pranohet nëse merr shumicën e votës së vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme.

Deklaratat e Serbisë kanë të bëjnë kryesisht me kundërshtimin e saj rreth avancimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës e shumë më pak rreth ndryshimit të statusit ‘të pronësisë’ së objekteve bizantino-ortodokse që tashmë janë të përcaktuara si trashëgimi botërore dhe me status nën mbrojtje të UNESCO-s, e që janë në territorin e shtetit të Kosovës.