Lajme Shqip Monday, 28 January 2013 08:32

PRISHTINË – Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministri i Jashtëm i Pakistanit, Malik Amad Khan, nënshkruarn sot në Prishtinë marrëveshjen zyrtare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve. Ministri Hoxhaj dhe ministri Khan vlerësuan lart këtë hap, duke shprehur vullnetin e dy vendeve për intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve, bën të ditur MPJ e Kosovës.

Ministri pakistanez, Malik Amad Khan, duke shprehur kënaqësinë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve, theksoi vullnetin e Pakistanit për thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha me Republikën e Kosovës, duke vlerësuar lart rëndësinë që kanë për këtë vend marrëdhëniet me Kosovën. “Marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të rëndësishme. Pakistani është një vend që mund ta ndihmojë shumë Kosovën, por edhe lidhjet e mira që ka Kosova me shumë vende, do të ishin të dobishme për Pakistanin”, tha ministri pakistanez.

I pyetur nga gazetarët rreth lobimit që Pakistani mund të bëjë për rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës nga vendet islamike, Khan, tha se Pakistani do të bëjë më të mirën e mundshme në këtë drejtim.

Ministri Hoxhaj falenderoi homologun pakistanez për vendimin që Qeveria pakistaneze mori dhjetorin e vitit të kaluar për ta njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. “Ky ka qënë një lajm i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, por dhe për politikën ndërkombëtare, pasi Pakistani është një shtet dhe fuqi rajonale, me peshë politike, diplomatike, ushtarake dhe ekonomike”, tha ministri Hoxhaj.

Ai po ashtu vlerësoi kontributin dhe përkrahjen e Pakistanit për Kosovën në anëtarësimin e saj në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ministri Hoxhaj po ashtu bëri të ditur se me ministrin Khan diskutoi dhe për bashkëpunimin ekonomik, tregtar e arsimor. Në një të ardhme të afërt, tha Hoxhaj, mendojmë që në Islamabad apo në Prishtinë të organizojmë një forum ekonomik, i cili do të sjellë, ndër të tjera, përfaqësues të biznesit, që mund të investojnë në Kosovë apo edhe anasjelltas.(LajmeShqip.com)