Lajme Shqip Wednesday, 22 July 2015 09:18

Kapja e shtetit e çon vendin drejt krizave të reja dhe Qeveria e Mustafës konsiderohet tërësisht e dështuar.

 “Ka shumë gjëra, për të cilat ata nuk mund të pajtohen, ka pak a shumë tendenca, sipas të cilave tenton njëri subjekt tjetrit që t’ia punojë. Veçanërisht kjo e dyta asaj të parës që tashmë e ka postin e kryeministrit dhe një pjesë të rëndësishme të ministrive”, vlerëson analisti Mazllum Baraliu.

Faktet dhe zhvillimet tregojnë se Qeveria e ‘Isa Mustafës’ nuk ka bërë asnjë veprim konkret në drejtim të shkapjes së shtetit në këta 8 muaj qeverisjeje PDK-LDK. Analistët vlerësojnë se kryeministri bashkë me zëvendësin e tij Hashim Thaçi, po dalin vetëm si dy mashtrues dhe zhvatës, derisa ekonomia po shkon në drejtimin e gabuar, kurse shteti është zhytur në korrupsion dhe paligjshmëri.

Si i tillë, ky koalicion, nuk mund të mbijetojë gjatë, sepse pasojat për vendin do të ishin tepër të dëmshme. Njohësi i fushës së legjislacionit, eksperti Riza Smaka, thotë se nuk po shihet asnjë rezultat kundër korrupsionit, ndërsa janë harruar zotimet e LDK-së për dekriminalizim të institucioneve. Smaka konstaton se kjo qeverisje e kryesuar nga LDK-ja, që është futur në koalicion me partinë fituese të zgjedhjeve PDK-në, vetëm sa është kapur akoma më shumë nga partia e Thaçit, pasi që kryeministri aktual nuk e ka as fuqinë politike dhe as kredibilitetin moral që ta luftojë qeverisjen e keqe të mandatit të kaluar.

 “Gjithsesi që në këtë kontekst duhet të konsiderohen edhe aferat e dosjeve të denoncuara për korrupsion gjatë qeverisjes së Prishtinës nga kryeministri i tanishëm. Është dëshirë e sinqertë e secilit qytetar të vendit tonë, që korrupsioni të luftohet fuqishëm, në mënyrë të organizuar, institucionalisht dhe me konsistencë dhe sinqeritet, por në anën tjetër gjasat mbeten të pakta dhe të zbehta për t’u realizuar aspirata të tilla”, tha prof. Smaka për Kosova Sot.