Lajme Shqip Friday, 28 August 2015 11:28

Rugovasit kanë vendosur të mos rrinë “duarkryq” ndaj vendimit që ua merr pronat e tyre brenda territorit të Kosovës. Nënshkrimi i marrëveshjes në Vjenë për demarkacion me Malin e Zi ka revoltuar banorët e fshatrave përgjatë brezit kufitar me malazezët.

Ata kanë paralajmëruar “vetëmbrojtje” të pasurisë së tyre. Ndërsa, dy partitë opozitare AAK-ja dhe “Nisma” janë shprehur kundër votimit të marrëveshjes për ratifikim në Kuvend të Kosovës. Nën pushtim tokat e rugovasve iu morën me dhunë, por ata (rugovasit) e kanë të pamundur të besojnë se kjo po iu ndodh tani nën qeverisjen shtetërore të Kosovës.

Rexhep Kurtbogaj, përfaqësues i bashkësisë territoriale të shtatë fshatrave përgjatë brezit kufitar, bën të ditur për “Zërin” se janë të revoltuar dhe vendimi është i papranueshëm për banorët e Rugovës.

“Nuk janë konsultuar me banorët askush nga Komisioni qeveritar për Demarkacion. Është bërë marrëveshje e fshehtë nga Komisioni. Nuk janë marrë parasysh thirrjet e banorëve për dëmin”. Ai thotë se do të organizohen protesta të vazhdueshme që të mbrohen nga dëmtimi banorët e Rugovës dhe pronat e shtetit të Kosovës. “Të gjitha faktet dhe parimet juridike, historike, natyrore janë anashkaluar.

Kjo vijë e re kufitare që vendosi Mali i Zi është e papranueshme për banorët. Banorët janë të revoltuar dhe do t’i përdorin të gjitha format ligjore dhe format tjera që nuk pranojnë këtë vijë kufitare”, tha Kurtbogaj, sipas të cilit, Komisioni i korruptuar punoi në interesin e Malit të Zi.