Lajme Shqip Tuesday, 22 January 2013 13:50

Bruksel – Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me seli në Strasburg, ka miratuar me 115 vota për dhe 11 kundër, një rezolutë për Kosovën, e cila kërkon forcimin e sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Raportuesi i Këshillit të Evropës për Kosovën, Bjoern von Sidow, në raportin e tij të paraqitur sot në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare, ka thënë se në dy vitet e fundit, në Kosovë kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme, në kuadër të stabilitetit politik dhe zbatimit të reformave.

Ai megjithatë ka nënvizuar se është e domosdoshme që të ketë përpjekje për përmirësimin e funksionalizimit të institucioneve demokratike, veçanërisht të Kuvendit të Kosovës, dhe për një punë më efikase në administratën publike dhe sistemin e drejtësisë.

“Ekziston një mungesë e përgjithshme e sundimit të ligjit në Kosovë. Korrupsioni është i pranishëm në mbarë vendin, ne nivele të ndryshme. Kjo ndërlidhet me drejtësinë, prokurorët…Sundimi i ligjit duhet të përmirësohet dhe duhet të jetë e parashikueshme për të gjithë”, ka thënë Sidow, gjatë punimeve të seancës.

“Sfida më e madhe në Kosovë është zbatimi i të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, veçanërisht lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Në aspektin pozitiv, Sidow ka veçuar dialogun ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë.

“Ai hap dritaren e mundësive për zgjidhjen e çështjeve thelbësore politike, bashkërisht me ato teknike. Jam informuar se shumëçka është zbatuar nga zotimet që janë dhënë, e kjo është jetike, zbatimi i marrëveshjeve”, ka thënë Sidow.(K.P/LajmeShqip.com)