Lajme Shqip Thursday, 16 July 2015 14:24

“Me rastin e ditës së Bajramit të Madh, juve, besimtarëve myslimanë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju uroj që këtë ditë ta kaloni në paqe, solidaritet dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin. Në këtë ditë të veçantë, pas përfundimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit, muajit të sakrificës, mëshirës, solidaritetit dhe paqes, uroj që të gjithë besimtarët myslimanë, të bashkuar, në begati dhe në harmoni, të festojnë me familjarët, miqtë dhe me më të dashurit e tyre”, thuhet në urim.

Presidentja më tej shprehet “Në këtë ditë feste, le të reflektojmë për punën, për angazhimet dhe obligimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, ndaj familjes, miqve dhe shoqërisë. Le të shtrijmë dorën e ndihmës dhe të solidaritetit për të gjithë ata që kanë nevojë. Të punojmë çdo ditë, me shumë përkushtim, për ndërtimin e të ardhmes më të mirë për vendin tonë, si pjesë e familjes së madhe evropiane, duke kultivuar me shumë respekt traditën e tolerancës ndërfetare dhe ndërkulturore si vlerat me të çmuara të shoqërisë sonë. Në këtë festë të Bajramit të Madh, me respekt të veçantë, t’i kujtojmë të gjithë ata që u angazhuan dhe sakrifikuan për vendin tonë”.