Lajme Shqip Friday, 25 September 2015 10:59

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot një delegacion nga Komisioni për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, i cili kryesohej nga nënkryetarja e këtij parlamenti, zonja Ulrike Lunaçek.

Sipas njoftimit nga ky takim, merret vesh se presidentja Jahjaga e njoftoi këtë delegacion me zhvillimet e përgjithshme në vendin tonë, me theks në proceset dhe reformat që janë duke u zhvilluar e që ndërlidhen me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Ajo po ashtu tha para deputetëve evropianë se sfidat e Republikës së Kosovës janë të ngjashme me ato të të gjitha vendeve të rajonit që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian dhe rikujtoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për tejkalimin e tyre dhe krijimin e kushteve më të mira për jetë për të gjithë qytetarët.

Presidentja Jahjaga theksoi angazhimin e institucioneve të Kosovës për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, vendosjen e rendit dhe ligjit, duke konstatuar se Kosova është shembull për gjithë rajonin për qasjen që ka treguar ndaj sfidave globale, siç janë ekstremizmi dhe radikalizmi.

Gjatë takimit me deputetët evropianë presidentja Jahjaga foli edhe për procesin e dialogut me Serbinë. Në këtë kontekst ajo edhe një herë ritheksoi rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura në këtë proces, pasi që vlerësoi se ka ngecje në zbatimin e tyre në praktikë. Ajo rikonfirmoi qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet fqinje, përfshirë këtu edhe Serbinë.

Duke folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, presidentja Jahjaga theksoi se vendimi për krijimin e kësaj force është bërë pas rishikimit të sektorit të sigurisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n.

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, zonja Ulrike Lunaçek dhe anëtarët e tjerë të delegacionit nga Komisioni për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, shprehën mbështetjen e vazhdueshme të këtij institucioni për perspektiven e qartë evropiane të Kosovës. Ata çmuan lart rolin e presidentes Jahjaga në krijimin e imazhit shumë pozitiv të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe kontributin e saj në zhvillimet brenda vendit.