Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 22:54

Tiranë- Gara mes dy rivalëve për pasues të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike, zyrtarisht ka filluar dje. Lulzim Basha e Sokol Olldashi kanë nisur fushatat nga bastionet e tyre – nga Elbasani dhe nga Fieri.

Por përveç garës mes tyre, në selinë PD’së po zhvillohet edhe një garë tjetër – ajo e mbështetësve. Disa prej tyre kanë dalë haptas, duke bërë fushatë në favor të “të përzgjedhurit” të tyre, përderisa të tjerët kanë nisur punën në prapaskenë. Gazeta Tirana Observer pohon se ka zbuluar se si janë ndarë kampet në PD.

Pro Olldashit
Garda e vjetër e PD’së preferon që në krye të partisë të jetë Sokol Olldashi. Mbështetja e tyre për të ka disa arsye. Faktori i parë është se, Sokol Olldashi cilësohet një demokratët e vjetër, i cili u nis nga zeroja dhe arriti deri për të ë strukturat më të larta partiake. Faktor tjetër është lidhja e Olldashit me figurat që janë pjesë e PD’së që nga vitet e 90’a. Veç kësaj, garda e vjetër nuk e simpatizon Bashën, sepse, sipas tyre, ai u katapultua në strukturat e larta të PD’së pa qenë asnjë ditë në PD.

Nga ana tjetër, as Basha nuk u afrua kurrë me gardën e vjetër të PD’së, por zgjodhi të mbështeste figurat që i futi vetë në PD, si Grida, Duma, Jorida Tabaku, etj. Tutje, marrëdhëniet e tij të ngushta me Ilir Metën shkaktuan shumë xhelozi në PD, dhe një pjesë anëtarëve të saj ende nuk ia falin Bashës këtë miqësi me Metën. Madje, thuhet që ishte dyshja Meta-Basha që pamundësoi zgjedhjen e Jozefina Topallit për presidente.

Pro Bashës

Pro kryetarit aktual të Bashkisë së Tiranës janë të gjitha prurjet në PD pas vitit 2005, me përjashtim të Majlinda Bregut. Brezi i ri i PD’së te Basha sheh përfaqësuesin e tyre më të denjë. Këtij grupi duket se i është bashkuar edhe Eduart Selami.
Mirëpo, Basha duket se ka edhe një plus të madh në garë – “faktorin Berisha”. Nëpër korridoret e selisë së PD’së, por edhe në analizat e disa gazetarëve të njohur thuhet se, Basha e ka të fituar këtë garë ngase është i preferuar i Doktorit. Edhe pse, ky i fundit ka deklaruar se nuk do të mbajë anë në garën për kryetar të PD’së, të gjithë e dinë që Basha është “beniamini” i Berishës në PD.

Pro Sokol Olldashit
– Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Genc Ruli, Ilir Rusmali, Majlinda Bregu, Mesila Doda, Jemin Gjana.

Pro Lulzim Bashës
– Eduart Selami, Aldo Bumçi, Gerti Bogdani, Albana Vokshi, Grida Duma, Fahri Balliu, Tritan Shehu, Flamur Noka, Edi Paloka, Eduart Halimi, Keltis Kruja.