Lajme Shqip Tuesday, 22 September 2015 09:10

“Unë, absolutisht padrejtësisht i kam kaluar 20 muaj në paraburgim, dhe ende nuk është fundi, kjo është vetëm faza e parë, do të vazhdojmë të luftojmë, vetëm që tani është më lehtë, me familjen duket krejt ndryshe”, është shprehur Oliver Ivanoviqi, i akuzuari kryesor për krime ndaj shqiptarëve të Mitrovicës gjatë luftës dhe paslufte.

I disponuar dhe në humor, Oliver Ivanoviqi nuk ka lënë përshtypjen e një personi të sëmurë, jo të paktën ashtu siç e përshkruanin gjendjen e tij shëndetësore mjekët e Spitalit Rajonal në veri të Mitrovicës dhe avokatët e Ivanoviqit, të cilët madje edhe e binin në pyetje paraqitjen e Ivanoviqit para Gjykatës.

Ivanoviq tha se as që i ka shkuar ndonjëherë mendja se do të jetë në burg.

“Thjesht një ndjenjë të tillë njeriu nuk e ka, sepse as në gjumë nuk kam ëndërruar se ndonjëherë do të jem pranë burgut, e kurrsesi në burg. Ky rast është i rëndësishëm për të gjithë serbët, ky më nuk është rast i im, duhet të jetë i rëndësishëm edhe për më gjerë, sepse aktakuzat e padrejta dhe mbajtja në paraburgim, kjo nuk mund të jetë rregull. Sidomos nuk mund të jetë rregull i një misioni evropian, i cili ka ardhur këtu për të treguar se si punohet”, ka vijuar Ivanoviq, raporton ‘Zëri’.

Ai ka vlerësuar se rasti i tij ka tërhequr vëmendjen e madhe të medieve, duke qenë i bindur se një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë më.

“Ajo çka është e rëndësishme, serbët duhet të mendojnë, që para këtyre gjykatave duhet ta kenë ndjenjën absolute të drejtësisë e të sigurisë. Unë deri me tani nuk e kam pasur atë ndjenjë, ndërsa sa i përket procesit gjyqësor, nuk kam absolutisht asnjë vërejtje, përveç se procesi po zgjat”, theksoi Ivanoviq, në deklaratën e tij të parë për medie, me të dalë nga spitali.

Ai u tha gazetarëve se ndihet mirë me shëndet, por që i duhet edhe më tutje të shkojë në kontrolle mjekësore, ndërsa i falënderoi ata, për siç tha, “e kanë ruajtur dhe e kanë mbajtur këtë temë në mendje të opinionit”. /Zëri