Lajme Shqip Wednesday, 23 September 2015 10:42

Lideri serb i Kosovës Oliver Ivanoviq, i cili po gjykohet për krime lufte, bëri thirrje për mbështetje nga të gjithë serbët ndërsa u lirua me arrest shtëpie pas 20 muajsh në paraburgim.

“Kam kaluar 20 muaj në burg në mënyrë shumë të padrejtë dhe kjo s’ka marrë fund ende. Kjo është thjesht faza e parë dhe ne do të vazhdojmë të luftojmë,” tha Ivanoviq për mediat ditën e hënë pas mbarim të urdhërndalimit të tij.

Ivanoviq u shoqërua nga policia nga spitali në veri të qytetit të ndarë të Mitrovicës ku ai po kurohej pasi shëndeti i tij u përkeqësua si pasojë e një greve urie 16-ditore muajin e kaluar.

Gjykata e shkallës së parë në Mitrovicë vendosi ditën e premte se ai tani duhet të mbahet nën arrest shtëpie, transmeton kallxo.com.

Qeveria serbe kishte bërë vazhdimisht thirrje për lirimin e tij nga paraburgimi. Marko Djuriq, kreu i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë në janar tha se “nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve” deri kur të lirohej Ivanoviqi.

Ivanoviq tha ditën e hënë se çështja e tij duhet të ishte “e rëndësishme për të gjithë serbët”, sepse kjo nuk kishte lidhje vetëm me të.

Ish-zyrtari i qeverisë serbe dhe kreu i një partie politike serbe të Kosovës të quajtur “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Ivanoviq akuzohet për krime lufte pasi sipas aktakuzës urdhëroi vrasjen e shqiptarëve në Mitrovicë më 14 prill 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, kur dyshohet se ishte lideri i një njësie policore paraushtarake.

Ai akuzohet gjithashtu për nxitje të vrasjeve të shqiptarëve etnikë gjatë trazirave që shpërthyen në Mitrovicë më 3 shkurt 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga aty.

Katër të pandehur të tjerë, Dragoljub Delibasiq, Aleksandar Lazoviq dhe dhe Ilija dhe Nebojsa Vujaciq që janë babë e bir, gjithashtu përballen me akuza për vrasje dhe tentativë vrasjeje. Të gjithë e kanë deklaruar veten të pafajshëm.

Gjykatësit, prokurorët dhe avokatët mbrojtës në çështjen e Ivanoviqit ditën e hënë vizituan vendet në veri dhe jug të Mitrovicës ku u kryen krimet.

Avokati i Ivanoviçqt Nebosja Vlajic tha për agjencinë e lajmeve Tanjug se kjo do t’i ndihmonte gjykatësit të krijonin një ide më të qartë.

“Në këtë mënyrë ata do të jenë në gjendje, ndër të tjera, të kontrollojnë mbrojtjen e të akuzuarit dhe dëshmitë e dëshmitarëve, duke qenë se ne pretendojmë se pjesa më e madhe prej tyre po gënjenin,” tha Vlajiq.

Seanca tjetër dëgjimore është caktuar në datën 6 tetor.