Lajme Shqip Tuesday, 15 January 2013 20:21

TIRANE – Mediat në Peru zbardhin të tjera detaje rreth hyrjes në Shqipëri të ish-ministrit të jashtëm peruan Augusto Blacker Miller. Sipas gazetës “LaRepublica”, Miller ka hyrë në Shqipëri nga SHBA-ja me numrin e pasaportës 4698977-PE, që rezultonte e pavlefshme prej disa vitesh.

Edhe Ministria e Brendshme në Peru konfirmoi se Augusto Blacker Miller ka përdorur një pasaportë që e ka humbur vlefshmërinë. Zyra e Interpolit në Shqipëri bëri të ditur se ish-ministri peruan ka hyrë në vendin tonë me një pasaportë që rezultonte të ishte lëshuar më 9 shkurt 2012. Por autoritetet peruane mohojnë të kenë lëshuar një pasaportë në këtë datë, çka konfirmon dyshimet se pasaporta e Miller ka qenë e pavlefshme. Ndërkohë sipas ministrit të brendshëm peruan, Wilfredo Pedraza, kur ka kaluar kufirin shqiptar, Miller nuk rezultoi midis personave të kërkuar nga Interpoli.

Pak ditë më parë prokurori i Antikorrupsionit në Peru, Julio Arbizu tha se Augusto Blacker Miller është arrestuar në Shqipëri të enjten e kaluar, ndërsa më pas është lënë i lirë. Gjatë deklaratës së tij, Arbizu i referohet njoftimit të Interpolit, ndërkohë që shkaqet e ndalimit, siç shton ai, nuk janë sqaruar. Ndër të tjera ai sqaroi se autoritetet peruane presin t’iu specifikohen nga Interpoli, arsyet e lënies së lirë të Miller, kur dihet se për të është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, madje edhe në SHBA. Madje, prokurori i Antikorrupsionit në Peru ka nënvizuar më tej se, shteti i tij do të bëjë një kërkesë të re ekstradimi, por këtë herë nga Shqipëria. “

Të enjten e kaluar mediat peruane bënë të ditur se në Shqipëri u arrestua nga Interpol Tirana për llogari të SHBA-ve, Manuel Augusto Blacker Miller, ish-ministri i Jashtëm peruan, i përfshirë në një grusht shteti në vitin 1992. Në vitin 2009-të ish-diplomati peruan ishte arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk dihet se si ka dalë prej andej duke përfunduar në kontinentin europian, konkretisht në Shqipëri, shkruajnë mediat vendase. Po sipas tyre, Miller është arratisur nga Peruja në tetor të 2005.(LajmeShqip.com)