Lajme Shqip Friday, 28 August 2015 11:50

Media të shumta gjermane kanë shkruar lidhur me Konferencën për Ballkanin Perëndimor, e cila përveç bashkëpunimit rajonal, u përshkua edhe nga tema e emigracionit.

Gazeta gjermane Tageszeitung ka cituar kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila ka thënë se Evropa është një kontinent i pasur dhe duhet të ketë kapacitete për të tejkaluar krizën me emigrantët.

Kjo gazetë citon edhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në Vjenë ka kërkuar më shumë mbështetje financiare nga Evropa për shtetet e Ballkanit.

“Shpresoj që të mbizotëroj mendimi se problemet e emigracionit ilegalë, mund të zgjidhen vetëm përmes investimeve konkrete në Ballkan”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, shtetet e Ballkanit kanë një potencial shumë të madh, ku shumë shtete të BE-së mund të përfitojnë. Ai edhe njëherë ka kërkuar që Kosova të futet si vend me prejardhje të sigurt dhe se Kosova sipas tij është vend i sigurt dhe askush nuk ka arsyeje për azil.

“Tageszeitung”, transmeton KosovaPress, ka cituar edhe përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, e cila ka theksuar se mbrojtja e emigrantëve është një domosdoshmëri ligjore dhe morale.