Lajme Shqip Saturday, 18 July 2015 08:50


Derisa paria e Partisë Demokratike të Kosovës po angazhohen zëshëm për formimin e gjykatës speciale, njohës të rrethanave politike në Kosovë dhe analistë të dukurive shoqërore, dyshojnë në prapaskena të mundshme të bllokimit të procesit të themelimit të kësaj gjykate po nga udhëheqja e kësaj partie, e cila ose nuk e ka shumë të qartë se çka do të fitojë e çka do të humb nga formimi i kësaj gjykate, ose edhe me këtë proces i bën disa kalkulime për t’ia rritur vetes rejtingun politik.
Dëshmi për këtë ata marrin seancën plenare të Kuvendit të Kosovës më 26 qershor, në të cilën nuk kaloi amendamenti numër 24 i Kushtetutës së Kosovës, i cili do t’i hapte rrugë formimit të kësaj gjykate. Siç dihet amendamenti kushtetues nuk mori dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pra mbi 80 vota, sa ishin të nevojshme për kalimin e tij.

Në rezultatin e votimit, 75 për, 7 kundër dhe dy abstenime, ndikimin për dështim pos deputetëve të opozitës që e bojkotuan votimin, kishin pikërisht 13 deputetët e PDK-së me (mos)votën e tyre, prej të cilëve 7 votuan kundër, 2 abstenuan dhe 4 i ikën votimit.

Janë pikërisht deputetët e PDK-së që njohësit e rrethanave politike në Kosovë dhe analistët politikë, i bëjnë të dyshojnë në prapaskena të mundshme të bllokimit të procesit të themelimit të kësaj gjykate po nga udhëheqja e kësaj partie. Këtë dyshim ata e mbështesin në faktin se duket e pabesueshme “t’i dalin dorësh” deputetët liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, i cili për dy mandate në krye të qeverisë, mbajti në dorë të gjitha segmentet kryesore të pushtetit, si dhe subjektin e tij politik me qëndrim deri diku shumë autoritar.

Është e pabesueshme që tani, kur thuaja nuk ka ndryshuar asgjë në “pozitën e të fortit” te Thaçi, të dalin 7 deputetë me vota kundër “vullnetit të Thaçit”, madje edhe haptas, ndërsa 2 të abstenojnë e 4 t’i shmangën votimit. Ata që e njohin realitetin politik në Kosovës dhe në vetë PDK-në e kanë të vështirë të besojnë se “kundërshtarët e Thaçit” do ta merrnin këtë guxim, po nuk e patën “në prapaskenë miratimin” e shefit të tyre partiak.

Sipas analistëve dhe njohëse të rrethanave kjo ndodh për dy arsye: E para është frika që ka udhëheqja e ngushtë e PDK-së nga formimi i gjykatës speciale dhe e dyta se edhe në këtë situatë, si në çdo tjetër luhet në letrën që lideri të fitoi në rejtingun e tij politik, se arriti në fund t’i bind apo t’i “nënshtroi kundërshtarët” dhe të siguroi vota të mjaftueshme për themelimin e gjykatës speciale.

Vlerësohet se krijimi, por edhe moskrijimi i kësaj gjykate është shumë ngushtë i lidhur me karrierën e mëtutjeshme politike të Hashim Thaçit dhe pikërisht kjo çështje mund të merret si goditje e shumëfishtë planeve politike të Thaçit.

Të rikujtojmë se Hashim Thaçi është njëri nga ata që në aktivitetin e tij verbal është më i zëshmi se gjykata speciale duhet të themelohet, por në këtë plan nuk ngelin shumë prapa as bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Adem Grabovci, Hajredin Kuçi e Enver Hoxhaj.

Tani kur aq shumë po flitet që çështja e gjykatës speciale të rikthehet sërish për votim në Kuvendin e Kosovës edhe për shkak të presionit në rritje të faktorit ndërkombëtar është mirë të përmenden edhe prapaskenat e mundshme të bllokimit nga faktori vendor. Fakti që vetë Thaçi po shpreh bindshëm në opinion mendimin e tij se gjykata do të themelohet dhe fakti se javën që shkoi u punua për t’i “disiplinuar të pabindshmit” nga shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Adem Grabovci, por edhe nga liderët partiak Hashim Thaçi e Kadri Veseli, vetëm sa e sforcon dy arsyet që më lartë u përmendën si opsion nga analistët.

Sociologu Artan Muhaxhiri, ka thënë për Kosovalive se në situatën aktuale Thaçi shfaqet si një lider i cili ka nevojë për përkrahje shtesë dhe të drejtpërdrejt ndërkombëtare, pasi ai vetë nuk mund t’i përfundojë me sukses obligimet e mëdha dhe komplekse.

“Pas të gjitha presioneve të javëve të fundit, duke përfshirë edhe kancelaren gjermane, Merkel dhe ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit, Nuland, hapja eventuale e rrugës për krijimin e gjykatës speciale nga Kuvendi i Kosovës më shumë do të shihej si sukses i këtij presioni amerikano-gjerman, sesa i aftësisë politike të Thaçit”, ka theksuar Muhaxhiri.
I pyetur se si e komentoni rastin e votimit kundër “vullnetit të Thaçit”, madje edhe haptas, të 7 deputetëve të PDK-së, kur dihet se lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, për dy mandate në krye të qeverisë mbajti në dorë të gjitha segmentet kryesore të pushtetit, si dhe subjektin e tij politik me qëndrimin e tij shumë autoritar, ai ka thënë se partitë politike kosovare janë të centralizuara dhe funksionojnë pothuajse tërësisht në bazë të ideve dhe dëshirave të liderëve, ndonëse në dy partitë më të mëdha, PDK dhe LDK, ka edhe ndonjë hapësirë për rebelim ndaj liderëve.

“Kjo është duke ndodhur në LDK nga dita e parë e Qeverisë Mustafa, gjë e cila u shfaq edhe në zgjedhjet e brendshme, kurse në PDK ngjau me rastin e votimit të speciales. Liderët nuk mund ta imponojnë çdo herë mendimin e tyre tek 100% e deputetëve, prandaj në situata delikate përqindja sado e vogël e të rebeluarve prapëseprapë çon peshë të madhe”, ka theksuar Muhaxhiri.
Ai ka thënë se Hashim Thaçi e ka diktuar individualisht orientimin e PDK-së për një kohë të gjatë, mirëpo pas dënimit të rëndë të grupit të Drenicës dhe paralajmërimeve për gjykimin potencial të disa personaliteteve të larta të ish-UÇK-së nga gjykata speciale, situata brenda PDK-së nuk është ajo që ka qenë më herët.

“Rrjedhimisht, edhe pushteti partiak i Thaçit ka pësuar ndryshime”, ka theksuar Muhaxhiri.

Orteku që tash quhet gjykatë speciale për gjykimin e krimeve të supozuara të kryera nga pjesëtarët e UÇK-së nisi para pesë vjetësh me akuzat e senatorit zviceran Dick Marty, së pari në media e pastaj gradualisht morën formën e një dokumenti të Këshillit të Evropës, derisa reagimet nga Kosova ishin më shumë për konsum të brendshëm politik se sa për t’i prerë rrugë ortekut të filluar i cili sa rrokullisej aq i shtoheshin përmasat.

Akuzat fillestare të senatorit zviceran Dick Marty u ngritën në një raport 55 faqësh, i cili u përpilua edhe në bazë të pohimeve të ish-kryeprokurores të Gjykatës së Hages, Karla Del Ponte dhe u prezantua para Këshillit të Evropës. Sipas këtij raporti Hashim Thaçi qëndronte në krye të një rrjeti mafioz përgjegjës për kontrabandë armësh, droge dhe trafik organesh në Evropën Lindore.

Në nisje të këtij orteku denoncues nga senatorit zviceran Dick Marty vetë Hashim Thaçi patë paralajmëruar padi për shpifje, padi kjo që nuk u ngrit asnjëherë. Pse ndodhi kështu në Kosovë askush nuk flet. Dihen vetëm deklaratat publike të Thaçit se do ta padis në gjykatë për shpifje senatorin zviceran Dick Marty dhe ato të Dick Marty-t se padia e Thaçit nuk i bën dot gjë se ai është i mbrojtur nga imuniteti parlamentar.

Atbotë Thaçi qe kërcënuar se do t’i publikoi emrat e atyre që gjoja i kanë dhënë informata Dick Martyit, por edhe këtë nuk e bëri kurrë.

Nga Kosova herë pas here pati reagime që gjithsesi nuk i kontribuuan ndaljes së ortekut, përkundrazi dukej se ndonjëherë edhe e ndihmonin rrokullisjen e tij, sepse ato reagime ishin më shumë për konsum të brendshëm politik dhe me një gjuhë patetike në vend të asaj argumentuese.

Bie fjala, shpesh dëgjoheshin reagime në stilin se akuzat dhe raporti i Dick Marty-t është një konspiracion i gatuar në kuzhinën serbe, pa fakte dhe pa prova, ose se këto akuza kundër kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, luftës çlirimtare që ai drejtoi bashkë me shokët e tij, nuk ishin vetëm kundër tyre, por ndaj të gjithë shqiptarëve, reagime këto që po ashtu nuk përmbanin asnjë fakt tjetër pos fjalëve.

Njohës të rrethanave politike edhe atëherë patën sinjalizuar se akuzat e ngritura nga Marty e kishin si qëllim edhe vendosjen në pozitë të vështirë të delegacionit shqiptar përpara bisedimeve Kosovë-Serbi, gjë që duket se Thaçit dhe atyre që me ngulm pranuan dialogun me Serbinë pa kushte nuk u bëri shumë përshtypje. /KosovaLive/