Lajme Shqip Tuesday, 28 July 2015 17:30

Ndonëse Kuvendi i Kosovës nuk arriti që të miratojë pro formimit të Gjykatës Speciale, tani është ofruar edhe një alternativë tjetër për t’u bërë një gjë e tillë.

Bëhet fjalë për votimin në pako të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe Speciales, që do t’i nxisë deputetët e pozitës dhe opozitës të votojnë, megjithëse Lista Serbe është shprehur publikisht se nuk do ta votojë Ushtrinë e Kosovës, ndërsa janë pro votimit të Gjykatës.

Një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës, në kushte anonimiteti, ka thënë për “Zërin” se deputetët e pozitës dhe një pjesë e madhe e opozitës do të votojnë për themelimin e Speciales për t’u “sakrifikuar” atë për formimin e FAK-ut.

“Jemi në konsultime me shumicën e deputetëve të Kuvendit, të cilët janë shprehur të gatshëm të votojnë për Specialen nëse futet në pako edhe Ushtria e Kosovës”, ka thënë ky zyrtar. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, shprehet i bindur se Kosova do ta miratojë formimin e Gjykatës Speciale.

Kryediplomati kosovar ka thënë për medie se në votimin e radhës Kuvendi do t’i miratojë ndryshimet kushtetuese. “Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar një debat shumë aktiv, dinamik dhe të gjallë.

Një debat, që ka çuar drejt një votimi me shumicë në favor të themelimit të Gjykatës Speciale. Rezultati ishte ai që e panë të gjithë. Votimit i së premtes ishte dëshpërues dhe zhgënjyes, por ne kemi mbajtur një mbledhje të Qeverisë së Kosovës dhe kemi rënë dakord që ta riprocedojmë, në mënyrë që të kemi një mundësi tjetër. Shpresoj që kjo çështje do të tejkalohet, do të riprocedohet dhe do t’i kemi votat e mjaftueshme për ta themeluar Gjykatën Speciale nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, tha Hashim Thaçi.