Lajme Shqip Thursday, 24 January 2013 21:17

Gjilan – Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan ka organizuar të enjten marsh solidarizues për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin, duke ngritur zërin kundër padrejtësive që po u bëhen shqiptarëve në atë pjesë.

Qindra qytetarë iu përgjigjen ftesës së Lëvizjes Vetëvendosje, duke mbajtur në duar parulla si, “Stop diskriminimit të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, “Ndal spastrimin e heshtur etnik”, “Të drejtat e shqiptarëve nuk janë çështje e brendshme e Serbisë”, “Lavdi dëshmorëve”, “Lugina e harruar pa spital, pa universitet, pa investime”, e të ngjashme. Protestuesit marshuan nga shkollat e mesme të qytetit e deri në hapësirën pranë Teatrit të Qytetit.

Kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE në Gjilan, Ismajl Kurteshi, ka thënë para marshuesve se heqja e lapidarit të dëshmorëve të kombit nga qendra e qytetit shqiptar të Preshevës është vetëm njëra nga shkeljet e njëpasnjëshme e të të drejtave të njeriut dhe të të drejtave kolektive të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre autoktone në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Jemi sot këtu që t’i përkrahim kërkesat e drejta të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, të artikuluar në platformën politike të vitit 2006, si dhe ta ngrehim zërin kundër dhunës, përndjekjeve dhe represioneve të pandërprera mbi 100-vjeçare të shtetit të Serbisë mbi shqiptarët. Heqja e Lapidarit të Dëshmorëve të Kombit nga qendra e qytetit shqiptar të Preshevës është vetëm njëra nga shkeljet e njëpasnjëshme të të drejtave të njeriut dhe të të drejtave kolektive të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre autoktone në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc”

Ai ndër të tjera numëroi një varg kërkesash që do të duhej të plotësohen, e të cilat do ta ndalnin ankthin dhe shtypjen e vazhdueshme të të drejtave të qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Pas tij, fjalën e mori kryetari i shoqatës së “Vatrës”, Sejdulla Kadriu, i cili foli për diskriminimin që po u bën shteti serb shqiptarëve të asaj pjese.

“Serbia e hoqi ashtu siç e hoqi, dhe ka forcë të largojë një pllakë në mënyrë tinëzare, por më habit fakti që bashkësia ndërkombëtare nuk reagon më ashpër për të mbrojtur një popull të pambrojtur, sepse ata kanë qenë garantues të paqes dhe stabilitetit kur ne i kemi lënë armët. Kjo nuk mund të cilësohet ndryshe pos si tradhti në kurriz të popullit të Luginës”, u shpreh ai.

Marshi solidarizues i Lëvizjes Vetëvendosje përfundoi i qetë, ndërkaq po kjo lëvizje po me të njëjtin mesazh do të organizojë një protestë gjithëpopullore edhe ditën e shtunë në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00.(G.E/LajmeShqip.com)