Lajme Shqip Wednesday, 16 January 2013 11:57

Washington – Kosova edhe në këtë vit në raportin e Freedom House mbi Liritë në Botë, është renditur në në mesin e vendeve pjesërisht të lira.

Sipas përcaktimit të Freedom House, shtet pjesërisht i lirë, është ai që ka kufizim të respektimit të lirive politike dhe atyre civile.

Një shtet i tillë shpesh vuan nga një ambient i korruptuar, sundim të dobët të ligjit, grindje fetare e etnike dhe një skenë politike ku një parti e vetme dominon me gjithë shkallën e caktuar të pluralizmit.

Vitin e kaluar Kosova ka qenë vend, gjithashtu, pjesërisht i lirë dhe notimet në dy shtyllat kryesore që, sipas Freedom House, përcaktojnë lirinë e një vendi, kanë mbetur identike, nota 5 për të drejtat politike dhe 4 për liritë civile.

Notimet nga 1 deri në 2.5 vlejnë për vendet e lira, nga 3 në 5 vendet pjesërisht të lira dhe nga 5.5 në 7 vendet jo të lira.

Nga vendet e rajonit, bashkë me Kosovën, në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira janë Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia.

Ndërsa, shtete të lira janë konsideruar Serbia, Kroacia e Mali i Zi.

Shtet i lirë, sipas Freedom House, është ai ku ka konkurrencë të hapur politike, një klimë të respektimit të lirive civile, jetë të pavarur civile dhe media të pavarura.

Ndryshe, në raportin mbi gjendjen e Lirisë Globale, të Freedom House, potencohet se shfaqja e lëvizjeve popullore për reformat kanë qenë forcë nxitëse për fitoret e mëdha në Lindjen e Mesme në vitin e kaluar, transmeton REL.

Megjithatë, një numër i rajoneve kanë treguar kthim prapa si pasojë e reagimit autoritar ndaj këtyre lëvizjeve.

“Gjetjet tona tregojnë një rritje të sofistikuar të autoritarizmit modern”, thotë Arch Puddington, zëvendëspresident i Freedom House për hulumtime.

“Ata janë fleksibilë; ata shtrembërojnë dhe abuzojnë me kornizën ligjore; adoptojnë teknikat e propagandës moderne”, ka shtuar ai.

“Në veçanti që nga Pranvera Arabe, ata janë nervozë, që ka të bëjë me përndjekjen e intensifikuar nga ana e tyre të lëvizjeve popullore që kërkojnë ndryshime”.

Numri i shteteve të përcaktuara si të lira në vitin 2012 ishte 90, që paraqet 46 për qind të 195 shteteve në botë.(K.N/LajmeShqip.com)