Lajme Shqip Tuesday, 21 July 2015 08:03

​Dy procesverbale ishin përpiluar nga Policia e Kosovës (PK) rreth bastisjeve që kishin bërë në ditën kritike kur ishte vrarë ish-polici, Triumf Riza.

Ishte raportuar për bastisjet në lokalin “Sekiraça”, pastaj në shtëpinë e të akuzuarit, Enver Sekiraça, të vrasësit Arben Berisha, si dhe të disa personave të tjerë, të identifikuar si pjesë e “grupit Sekiraça”.

Në njërën prej procesverbaleve figuron urdhri për bastisje, që ishte dhënë nga gjykata në mënyrë verbale, kurse në tjetrin mungon urdhri. Ky detaj ka nxitur tension të hënën në seancë gjyqësore kundër Sekiraçës, i cili po akuzohet për nxitje të vrasjes së Rizës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mbrojtja e të akuzuarit pretendon se bastisja në lokalin “Sekiraça” është kryer pa urdhër të gjyqtares së procedurës paraprake në atë kohë, Drita Hoxha. Ata kanë kërkuar që provat e siguruara gjatë bastisjes në këtë lokal të mos përdoren në këtë rast, pasi që janë siguruar pa urdhrin e gjyqtares.

Derisa dy dëshmitarët të cilët kanë dëshmuar në seancë e kanë mohuar këtë, duke thënë se kanë pasur gjithsesi urdhër prej gjykatës.