Lajme Shqip Friday, 24 July 2015 11:42

Klientja e kompanisë Bindmans, Mariah Bamieh, e cila përfaqësohet në procesin e saj në Tribunalin e Punësimit në Londër, është akuzuar me ndjekje penale nga EULEX, institucion kundër të cilit ka ngritur padi.

Kërcënimi është bërë kundër Bamieh nga avokatët e EULEX-it, nëse ajo zbulon çfarëdo detajesh të padisë së saj palëve që nuk janë të përfshira. Ky është një hap themelor që kërkohet për të biseduar me dëshmitarët. Kërcënimi për ndjekje penale është bërë edhe specifikisht ndaj Peter Daly, avokatit të Bamieh, transmeton Klan Kosova.

EULEX i është drejtuar Tribunalit me kërkesë të privatësisë së plotë dhe urdhrat e anonimitetit në raport me të gjitha etapat e mbetura të procesit. Kjo do t’i parandalonte mediat për të raportuar nën cilindo aspekt të rastit, përkundër përcjelljes së gjerë globale të cilën tashmë e ka marrë, si dhe përkundër komenteve të shumta publike tashmë të bëra nga stafi i EULEX-it kundër Bamieh.

Procesi ka pasur dëgjime më 28 prill dhe 15 qershor, kurse dëgjimi i ardhshëm është në muajin shtator, transmeton Klan Kosova.

Shah Qureshi, nga Bindmans, ka deklaruar:

“Është aspekt themelor i funksionimit të sundimit të ligjit që avokatët të mos kërcënohen me ndjekje penale për shkak të përfaqësimit të klientit. Kërcënimet e bëra nga EULEX bien në kundërshtim me këtë parim bazik”.

“Ne kemi kërkuar edhe nga përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, që ta tërheqë kërcënimin menjëherë dhe shpresojmë se ajo do ta bëjë këtë për të mirë të drejtësisë dhe në përkrahje të sundimit të ligjit, gjë të cilën EULEX e ka për qëllim ta mbështesë”.

Kurse Maria Bamieh ka deklaruar:

“Qëkur i kam ngritur shqetësimet e mia para tri viteve i jam nënshtruar një fushate sistematike kundër meje. Zhvillimet e fundit e demonstrojnë përmasat në të cilat fuqitë relevante janë të gatshme të shkojnë për ta parandaluar diskutimin publik të këtyre shqetësimeve”.