Lajme Shqip Wednesday, 30 September 2015 10:14

Heqja e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” në urën kryesore mbi lumin Ibër, që ndan jugun dhe veriun e Mitrovicës, si dhe lirimi i kësaj ure për qarkullim, është pjesë e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, e cila është arritur në bisedimet në Bruksel, ndarjet mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Agim Bahtiri, kryetar i Komunës së Mitrovicës së jugut, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se projekti për heqjen e të ashtuquajturit “Parku i paqes” dhe revitalizimi i urës kryesore mbi lumin Ibër, do të nisë me 15 tetor .

“Kjo do të fillojë të zbatohet prej 15 tetorit e deri në qershor të vitit të ardhshëm, ku urës së Ibrit do t’i bëhet revitalizimi i i tërësishëm, si dhe do të bëhen dy rrethrrotullime, në jug dhe në veri. Pastaj do të bëhen kopshte me lojëra për fëmijë, në të dyja anët. Do të jetë gati për qarkullim në qershor të vitit të ardhshëm, ku do të mundësohet lëvizja e lirë për këmbësorët, biçikletat dhe të gjitha automjetet motorike”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka theksuar se tashmë për fillimin e zbatimit të projektit janë të informuar të gjitha strukturat e dy komunave, të jugut dhe të veriut të Mitrovicës.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, nuk ka qenë i qasshëm të konfirmojë nëse strukturat e Komunës së Mitrovicës së veriut janë të njoftuara se kur do të nis zbatimi i projektit për revitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër.

Ndërsa kryetarja e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së veriut, Ksenija Bozhoviq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se institucioni që ajo kryeson ende nuk ka informata lidhur me këtë çështje, përveç se është arritur marrëveshja.

“Tashmë, nesër është 1 tetor dhe ne, lidhur me këtë çështje nuk kemi biseduar asgjë në Kuvend, zyrtarisht. Por, kjo nuk do të thotë që neve kryetari nuk do të na informojë, sepse tash është në udhëtim zyrtar. Por, se a do të jetë temë e diskutimit, nuk e di. Tash për tash nuk është në rend dite dhe se a do ta hapë dikush këtë temë nuk e di”, ka thënë Bozhoviq.

Por, a ka sinjale se do të fillojë puna në urën kryesore mbi lumin Ibër?

Adrijana Hoxhiq, shefe e zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës në veri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka parë ndonjë shenjë të përgatitjeve.

“Nuk kam idenë. Vetëm se e di që sot kam kaluar pranë urës kryesore dhe nuk kam vërejtur se po ndryshon diçka aty”, ka thënë Hoxhiq.

Por, megjithatë, Bahtiri ka thënë se puna për largimin e të ashtuquajturit “Parku i paqes” do të nisë në afatin e përcaktuar.

“Sinjale se do të punohet ka, po se po, për arsye se ka dalë në tender dhe e ka fituar tenderin një kompani. Ajo do të fillojë të punojë dhe t’i përgjigjet Këshillit Evropian, i cili e ka marrë përsipër që të hiqet ai ‘Park i paqes’. Së pari, ka për t’u mbuluar mbi 4 metra e gjithë ura, ku ka për t’u bërë renovimi. Pastaj do të pastrohet ‘Parku i paqes’ dhe do të vazhdojë procedura e mëtutjeshme”, ka theksuar Bahtiri.

Ai ka shtuar se në të njëjtën kohë do të hiqen edhe dy barrikada tjera që gjenden në pjesën veriore të qytetit, në Lagjen e Boshnjakëve dhe në Suhadoll, të cilat, sipas tij, i kanë vendosur shqiptarët.

I ashtuquajturi “Parku i paqes” mbi urën kryesore mbi lumin Ibër është vendosur me 18 qershor të vitit 2014, vetëm disa orë pas heqjes së barrikadës së mëparshme me rërë dhe gurë, nga ana e autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut.