Lajme Shqip Friday, 12 July 2013 14:42

Prishtinë- Avokatët e Natalie Velija po presin vetëm nënshkrimin e Presidentes Jahjaga të Ligjit të Amnistisë për të kërkuar mëshirën e shtetit për veprat të cilat dyshohet se i ka kryer klientja e tyre. Avokati Nuhi Paçarrizi paralajmëron nisjen e procedurave për këtë ndërsa Prokuroria e EULEX’it, e bindur në fajësinë e shtetases gjermane ka kërkuar vazhdim të paraburgimit edhe për dy muaj.

Avokatët e të dyshuarës kryesore për zhdukjen e 1.4 milionë eurove të “Skandalit të Pasaportave”, presin që pas miratimit të Ligjit për Amnisti, klientes së tyre t’i falen veprat për të cilat dyshohet.

Nuhi Paçarizi, mbrojtësi i Natalie Velija, tha për Express se po presin vetëm që Presidentja Jahjaga ta nënshkruaj Ligjin, për të nisur procedurat për kërkimin e amnistisë.

Mundësinë për këtë, sipas tij, ia jep Ligji ngase aty përfshihen edhe veprat përtë cilat shtetasja gjermane dyshohet, e të cilat janë: mashtrim, vjedhje e rëndë, shpërdorim, keqpërdorim të besimit dhefalsifikim të dokumenteve.

“Disa nga këto vepra inkorporohen në vjedhjen e rëndë dhe shpëlarjen parash andaj edhe po presim që pas hyrjes në fuqi të Ligjit qysh në momentin kur Presidentja të japë nënshkrimin e saj, të nisim procedurat për rikualifikim të veprave për të cilat dyshohet”, tha Paçarizi për Express.

“Besoj që pas kësaj, nuk i mbetet më shumë se një vepër dhe as nuk do të ketë arsye që ajo të qëndrojë më në paraburgim”, shtoi avokati.

Ai madje tha se me hyrjen në fuqi të ligjit, Prokurori i EULEX’it Andrew Hudges obligohet që ex-officio të bëjë rikualifikim të veprave penale.

“Po nëse ai nuk e bënë ne kemi bazë të mjaftueshme ligjore për ta kërkuar atë sepse me Ligjin për Amnisti vetë shteti na e jep atë të drejtë dhe ne padyshim që e shfrytëzojmë çdo të drejtë ligjore që na jepet”, tha avokati.

E derisa mbrojtja paralajmëron se do të kërkojë amnisti për Natalinë, Prokuroria tashmë ka deponuar në Gjykatë edhe një kërkesë për vazhdimin e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak për shtetasen gjermane dhe vëllezërit Betim dhe Fisnik Blakaj edhe për dy muaj të tjerë.

Kjo me arsyetimin e njëjtë se Prokuroria është e bindur në fajësinë e tyre.

“Arsyetimi është i njëjtë sikurse herën e kaluar pra janë duke vazhduar hetimet dhe po shihet e arsyeshme vazhdimi i mbajtjes së të dyshuarve nën masat e sigurisë”, bëri të ditur Paçarizi.

Në Ligjin për Amnisti, thuhet se të gjithë kryesve të veprave penale të listuara në nenin 3 , e të cilat janë kryer para 20 qershorit të këtij viti, u jepet lirim i plotë nga ndjekja penale apo nga ekzekutimi i dënimit.

Ndërsa disa nga veprat penale të cilat janë përfshirë në nenin tre janë:

“Shmangia nga tatimi; Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike; Falsifikimi i dokumenteve; Pjesëmarrja në grup që kryen vepër penale, përveç në rastet kur kryerja e kësaj vepre penale ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor ose vdekje;Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi; Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.