Lajme Shqip Saturday, 29 August 2015 11:05

Djali i Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe pronar i kompanisë MAKCAR L.L.C., Besnik Mustafa, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se kompania që ai drejton “tërheq ofertën dhe kontratën për servisimin e veturës BMW të Qeverisë në shumën prej 2,946.00 euro”.

Ai ka dhënë edhe sqarimin e tij përse po e bënë këtë, duke treguar fillimisht se kopania e MAKCAR edhe paraprakisht e kishte servisuar të njëjtën makinë, kur babai i tij, nuk ishte kryeministër.

“Kompania MAKCAR L.L.C. Vetura BMW X5 e blinduar, është servisuar për herë të parë më 14 maj 2014 në Kompaninë e autorizuar për shitjen dhe servisim të BMW, MAKCAR”.

“Në këtë kohë baba im nuk ka qenë Kryeministër i Republikës së Kosovës. Këtë vit kompania jonë ka konkurruar për servisim të të njëjtës makinë, meqenëse më parë ka qenë klientel e jona. Kemi dhënë kushtet më të mira dhe jemi e vetmja kompani e autorizuar për territorin e Republikës së Kosovës”.

“Kemi bërë shpenzime për porositje të pjesëve rezervë të destinuar për këtë makinë në vlerë prej mbi 2,500 euro, por meqenëse është bërë fushatë e madhe për këtë punë, kompania jonë do ta tërheq ofertë-kontratën dhe do t’i bartim vetë këto shpenzime nga llogaritë e kompanisë”, ka shkruar Besnik Mustafa në Facebook.