Lajme Shqip Saturday, 26 October 2013 14:09

Tiranë- Propozimi i Avokatit të Popullit, Igli Totozani për të zyrtarizuar me ligj martesat gay ka shkaktuar reagimin e deputetes së Partisë Demokratike, Mesila Doda. Me një citim sot në rrjetin social, Facebook, Doda përvecse shpreh mosaprovimine saj lidhur me këtë nismë ndërsa akuzon Totozanin si shpikës kauzash. 

“Pasi kauzën e Romëve e mori Erjon Veliaj, Avokati i Popullit Igli Totozani shpiku kauzën e tij të fundit, atë të përgatitjes së projektligjit për martesat gay. Si deputete, grua, nënë, familjare shpreh mosaprovimin tim të thelle për një prononcim të tillë. Familje është vetëm ajo që vjen nga martesa e një burri dhe një gruaje, dhe sëbashku mbështesin dhe mirëpresin fëmijët që vijnë në jetë”. 

Doda bën thirrje në Facebook që të krijohet një bllok pengese kundra kësaj nisme. 
“Ju ftoj të gjithëve të bëhemi një bllok pengese për inisiativa te tilla që shkojnë kundra thelbit të jetës sonë, kundra vullnetit të Zotit që boten tonë e bekoi me bashkimin e burrit me gruan”. 

PROLGBT 
Drejtori ekzekutiv, “Të Bashkuar PRO kauzes LGBT (ProLGBT)” Kristi Pinderi ka reaguar lidhur me deklaratën e deputetes Mesila Doda. Pinderi bën thirrje që deputetët të marrin pjesë në këtë debat me argumenta dhe jo linçime. Sipas Pinderit këto deklarata si të Dodës, përvecse agresive, përjashtojnë kategori qytetarësh nga integrimi. 

DEKLARATA E PLOTË 
Deputetja Mesila Doda ka reaguar sot në lidhje me debatin rreth martesave gej.Ne gjykojmë se fryma agresive dhe thirrjet pët të ndarë qytetarët në llogore njësoj si në situatat e lincimeve kolektive nuk është fryma e Europës së qytetëruar. Ngjan më shumë me frymën e vendeve të ish Bashkimit Sovjetik dhe Rusisë. 

Eshtë e rëndësishme që deputetët dhe deputetet të cilat kanë mundësi dhe hapësira të pafundme për të shprehur mendimin, të marrin pjesë në këtë debat me argumenta dhe jo me lincime. 

Zonja Doda tha se “familje është vetëm ajo që vjen nga martesa mes një burri dhe një gruaje”. 

Kjo nuk është e vërtetë! Madje është një deklaratë që fton qytetarët të përcmojnë të gjitha ato forma të tjera të familjes që nuk përmbushin kriteret e familjes tradicionale. 

Këto janë deklarata kategorike që tentojnë të përjashtojnë nga integrimi një kategori të tërë qytetarësh. 

Për shembull: Familja e zonjës Doda është e nderuar, por kjo nuk e pengon familjen e një cifti gej të jetë gjithashtu e nderuar. 

Familje e nderuar është edhe ajo mes një burri e një gruaje që presin të rrisin fëmijët e tyre, por po aq e nderuar është edhe ajo familje mes një prindi të vetëm që adopton një fëmijë, apo familja e gjysherve që rrisin nipin apo mbesën, apo po ashtu e nderuar është dhe familja që përbëhet nga tezja dhe nipi (sic ishte rasti i familjes se Sofies në Durrës). 

Mospranimi i formave familjare që nuk mbyllen dot në korniza të një martese mes një burri dhe një gruaje, rrezikon që të mbajë larg shërbimeve dhe perfitimeve ligjore mijëra njerëz. 

Ne nuk po flasim për koncepte fetare apo hyjnore, por flasim për koncepte konkrete ligjore dhe për të drejtën që cdo qytetar ka në këtë vend për të krijuar familjen e tij dhe për të qenë i respektuar dhe jo i përjashtuar. Nëse një komunitet fiton një të drejtë që kushdo tjeter e ka, atëherë kjo nuk do t’i pengojë burrat që duan gra, të martohen me to, apo gratë që duan burrat të martohen me ta! 

Orientimi seksual dhe identiteti gjinor nuk jane zgjedhje qe befas, ne nje situate si ato te Apokalipsit ne Bibel do e nxisnin gjithë shoqërinë të bëhej homoseksuale. Këto janë thjesht frikëra të cilat ne duhet ti adresojmë përmes një debati të shëndetshëm”. /ballkanweb/