Lajme Shqip Wednesday, 28 October 2015 08:47

Deputetët e legjislativit kanë rënë deri në atë “derexhe”, saqë ngritën dyshime që ata të kenë qenë të droguar dhe nën ndikim të alkoolit në seancën e fundit maratonike, në të cilën disa hodhën disa herë gaz lotsjellës. Tensionet dhe përplasjet e vazhdueshme të pushtetit dhe opozitës tashmë nuk përbëjnë lajm, por seanca e fundit plenare e Kuvendit ka nxjerrë në sipërfaqe diçka të pazakontë.

Pushteti ka drejtuar “gishtin” mbi deputetët e opozitës se nën ndikimin e drogës e të alkoolit, madje edhe të armatosur, po bëjnë veprime të dhunshme brenda sallës së Kuvendit, duke kundërshtuar marrëveshjet për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi përmes hedhjes së gazit lotsjellës.

I pari që ngriti çështjen e përdorimit të alkoolit nga deputetët opozitarë ishte zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, i cili është edhe lider i PDK-së. Ai tha se në Kuvendin e Kosovës ka veprime të dehjes së disa deputetëve të opozitës.

“Në Kuvend ka veprime të dehjes, për çka është e nevojshme t’iu bëhet një test i alkoolit, se në çfarë gjendje futen deputetët në Kuvend të Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar që deputetët e opozitës të kenë qenë edhe të armatosur. /Zeri