Lajme Shqip Saturday, 15 March 2014 14:55

Ishte mesi i dhjetorit të dy viteve më parë, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shpallnin një organizatë terroriste si krahun e Al- Kaedës. Quhej Al-Nusra dhe ishte themeluar në Siri. FBI-ja e përkufizoi si një grup që po shfrytëzon një përplasje gjithnjë e më të gjerë sektare, duke rekrutuar myslimanë suni që e shihnin veten si të përjashtuar nga pushteti i Assad-it. Aso kohe, të dhënat për këtë organizatë terroriste si dhe nisjen e hetimeve të njësisë federale amerikane do t`i bënte publike pikërisht “Reuters”. Organizata, përgjatë ditëve në vijim, mori përsipër një sërë sulmesh në Damask dhe Alepo, ndërsa luftëtarët e saj u thanë se iu bashkuan rebelëve në sulmin kundër forcave të Bashar Al Assad. “Al-Nusra, shkruante ‘Reuters’ synon të rigjallërojë Kalifatin Islamik, një perandori që në kulmin e vet u shtri nga India në Spanjë. 

Mirëpo, që në dhjetorin e vitit 2012, u fol që në këtë grup ishin përfshirë të paktën 700 shqiptarë nga të gjitha trevat. Madje aso kohe u fol edhe për mbështetjen me  armatim që bënte mafia shqiptare për grupet që iu kishin bashkuar lëvizjes Al- Nusra. Të dhënat për implikimin dhe furnizimin me armë nga Shqipëria dhe Kosova u publikuan nga një agjenci izraelite, ndërkohë që, që prej asaj kohe, nisën të vinin trupat e parë të pajetë të shqiptarëve, shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Organizata Al-Nusra është përmendur edhe dje në sallën e gjyqit teksa prokurorja e çështjes së celulave terroriste, ka lexuar akuzën ndaj tetë të arrestuarve si dhe 5 të të kërkuarve, që besohet dhe dyshohet se janë konkretisht të përfshirë në mënyrë të drejt për drejtë si pjesë e kësaj organizate. 

“Burg pa afat”

 Verdi Morava, Edmond Balla, Orion Reçi dhe Astrit Tola kanë dalë mëngjesin e djeshëm para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku janë njohur me rivlerësimin e masës së sigurisë. Ndryshe katër personave të tjerë të vënë nën akuzë për nxitje dhe financim të terrorizmit, të cilët dolën dy ditë më parë para gjykatës, bashkëpunëtorët e tyre kanë refuzuar të ngrihen në këmbë, duke injoruar thirrjet   që ka bërë gjyqtari. Madje, as në momentin kur prokurorja e çështjes ka nisur komunikimin me ta, mësohet se katër të arrestuarit si organizatorë dhe financues të rekrutimeve për në Siri të besimtarëve, kanë refuzuar që ta shikojnë. Referuar të dhënave që vijnë nga gjykata, bëhet e ditur se asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të marrë avokat, ndonëse për Moravën, janë shfaqur në dyert e gjykatës dy mbrojtës, të cilët janë zgjedhur nga familja e tyre.

 Njëri prej mbrojtësve të Moravës ka deklaruar se qëndrimi i klientit të tij para gjykatës ka qenë mohues, që do të thotë nuk ka pranuar akuzat, ndërsa në lidhje me aktivitetin e tyre, mësohet se tashmë janë referuar edhe denoncimet të tjera që kanë të bëjnë me mashtrimin dhe dërgimin në Siri të familjarëve të tyre. Pak momente pasi ka përfunduar seanca gjyqësore e masës së arrestit ndaj katër personave, një burrë nga Shkodra, nën masa të rrepta sigurie, ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke rrëfyer se imami i vetëshpallur Genci Balla i kishte marrë gruan dhe djalin e tij të mitur. Shkodrani, mësohet se ka kërkuar nga autoritetet hetimore vetëm t`i kthehet i biri i tij që sot është 7 vjeç. Denoncimi Zamir M, është 39-vjeçari shkodran që ka denoncuar ditën e djeshme ‘rrëmbimin’ e bashkëshortes dhe të djalit të tij nga imami i “Unazës së Re”. Të dhënat   e lëna nga burri në prokurori mësohet se kanë të bëjnë me një histori që daton vitin 2011, kohë kur ish-gruaja e tij, Almira K., u nda prej tij se u martua me personin që, sipas tij, quhej Genci Balla. Aso kohe djali i tij F, ishte vetëm katër vjeç dhe ish-gruaja ia ka marrë djalin me vete dhe është larguar nga shtëpia ku jetonin bashkë në një lagje të qytetit të Shkodrës. 

Referuar të dhënave bëhet e ditur se gruaja ishte njohur me imamin në një fondacion islamik, vend në të cilin ajo punonte dhe që aty kishte vendosur të martohej me Genci Ballën, ndonëse Genci ligjërisht është i martuar me një grua tjetër dhe mësohet se nga kjo martesë ka katër fëmijë. Zamir M. i ka treguar prokurores së çështjes të gjitha detajet dhe se sipas tij ai ka dyshime që ish-gruaja e tij dhe i biri kanë mbërritur në Siri, ku ai ka kërkuar vetëm që t`i kthehet i biri dhe asgjë tjetër. Ndërsa bëhet me dije se janë të shumta denoncimet e tjera që kanë ardhur nga Pogradeci dhe Librazhdi në lidhje me persona që dyshohet se janë rekrutuar nga Balla dhe janë dërguar për në Siri. Ndërkohë që nga Librazhdi, vjen edhe alarmi tjetër që janë rreth 20 xhami të cilat janë të panjohura nga Komuniteti Musliman, një fenomen ky tashmë mjaft i rrezikshëm për hetimet e ndërmarra nga autoritete e hetimit dhe të zbulimit në vend.   

Mbështetësit e Ballës mallkojnë hoxhallarët shqiptarë

  Ka vijuar edhe ditën e djeshme beteja në rrjetet sociale dhe në internet për arrestimin e imamit të vetëshpallur të xhamisë së Unazës së Re, i konsideruar nga mbështetësit si ‘hoxhë’. Ata u kanë bërë thirrje të gjithë hoxhallarëve shqiptarë, jo vetëm të Shqipërisë, por në të gjitha trevat shqipfolëse, që të ngrihen kundër shtetit shqiptar për të mundësuar lirimin e udhëheqësit të tyre shpirtëror. E ndërsa ditën e djeshme, besimtarët e dy xhamive të bastisura nga policia, nuk kanë mundur të realizojnë protestën e paralajmëruar mbështetës të shumtë janë bashkuar para gjykatës dhe kanë bërë thirrje fetare për të dëshmuar se ata janë aty për ta. Në një faqe të re, të hapur ditën e djeshme “Jetojmë me Sirinë 24 orë online”, njoftohet se: Armiqtë e fesë së Allahut na i mbyllën dy faqet e al-Guraba, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën arabe.

 Në këtë faqe bie në sy një revoltim i madh mes komentuesve, ndërsa ndonjë që guxon të dalë kundër akteve për të cilat përfliten imamët dhe të arrestuarit, ‘përndiqen’ nga të gjithë besimtarët. Ja se çfarë thuhet në njërën nga thirrjet: “Kush i përgjigjet Xhihadit qenka “terrorist” kurse trupat e NATO-s, murtedat që i dërgojnë qenkan Paqeruajtës; kjo është ‘liria e demokracisë’. Mediumet e tyre malonike kërkojnë gabimet e hoxhallarëve, kurse hajnin dhe skandalet politike i kanë harruar. Kjo është luftë haptazi ndaj Islamit”.